Mbi 300 viktima nga sulmi në Kabul - Insajderi
×
  • Lajme
  • Botë
  • Lajme / Botë

    Mbi 300 viktima nga sulmi në Kabul

    Insajderi
    19 April 2016 - 12:02
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Zyrtarët në Afganistan kanë bërë të ditur se militantët talibanë kanë sulmuar një zyrë të agjencisë kryesore për siguri në Kabul, duke vrarë së paku 28 veta dhe plagosur mbi 300 të tjerë.

    Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, Sediq Sediqqi, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se sulmi ka nisur me shpërthimin e një makine bombë, për të vazhuar më pas me të shtëna me armë zjarri.

    “Sulmi i talibanëve, në të cilin është përdorur një automjet, është shenjë e qartë e dështimit të tyre, sidomos pasi janë mposhtur në konfrontim me forcat afgane të sigurisë në provincat Kunduz, Takhar, Badakhshan dhe Javzjan. Talibanët kanë pësuar shumë viktima në 24 orët e fundit dhe tani kanë planifikuar sulm vetëvrasës në Kabul”, ka thënë Sediqi.

    Sulmi pranë Ministrisë së Mbrojtjes ka pasur në shënjestër zyrën e Drejtorisë për Siguri Kombëtare, përgjegjëse për mbrojtjen e zyrtarëve qeveritarë.

    Mohammad Ismail Kawusi, drejtor për marrëdhënie me publikun në Ministrinë e Shëndetësië, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se së paku 28 njerëz janë vrarë dhe se mbi 300 janë plagosur.

    Viktimat përfshijnë edhe civilë, edhe anëtarë të forcave afgane të sigurisë.

    Talibanët kanë marrë përgjegjësinë për sulmin, i cili ndodh një javë pasi grupi militant ka thënë se ka nisur, siç e quan ai, ofensivën e pranverës.

    Pallati presidencial i Afganistanit, i cili ndodhet rreth dy kilometra nga vendi i shpërthimit, e ka dënuar, siç është shprehur, “sulmin frikacak terrorist” dhe ka thënë se ai nuk do të dobësojë dëshirën dhe vendosmërinë e forcave afgane për të luftuar terrorizmin.

    Sulmi tregon qartë humbjen e armikut në përballjen me forcat afgane të sigurisë”, ka thënë përmes një deklarate presidenti i Afgansitanit, Ashraf Ghani.

    Talibanët, gjatë vitit të kaluar, janë rigjallëruar si pasojë e tërheqjes së shumicës së forcave të NATO-s dhe të Shteteve të Bashkuara nga Afganistani.

    Ata tani kontrollojnë një pjesë të konsiderueshme të Afganistanit./rel


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark