Një hulumtim i Insajderit gjeti që në këtë tender hise mori edhe një nga ish-punëdhënësit e vet Ministrit Vitia, kompania “Agani”. Arben Vitia në këtë firmë deklaron se ka qenë këshilltarë, por hulumtimi i Insajderit gjeti se ishte edhe pjesë e bordit të firmës hisedarë në tenderin mbi 400 mijë eurosh.
E sikur të mos mjaftonte kjo afërsi, hulumtimi gjeti se po ashtu se ish-aksionari më i madh i firmës, ka pasur probleme me ligjin. Drejtor i firmës “Agani” përgjatë viteve 2004-2007, sipas dokumentit, figuron të ketë qenë Armend Agani, djali i axhës së Ferid Aganit, ish-ministrit të Shëndetësisë në “Qeverinë Thaçi 2”. Ai ka mbajtur pjesën më të madhe të aksioneve në ndërmarrjen “Agani Ltd” deri më 27 prill të vitit 2019. Ka hequr dorë nga aksionet e firmës “Agani Ltd” dy javë pasi ishte arrestuar nga Policia e Kosovës.
Armend Agani, së bashku me bashkëpunëtoren e tij Liljana Smiliq, ishin arrestuar më 10 prill 2019 nën dyshimet për hapjen e paligjshme të klinikës “BEL MEDIC INTERNATIONAL.”, pronar i së cilës figuron edhe sot në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve.
Prokuroria Themelore e Prishtinës ka ngritur aktakuzë ndaj Armend Aganit dhe bashkëpunëtores së tij, Liljana Smiliq në shtator të vitit 2019 dhe ata dyshohet se në bashkëkryerje kanë shpallur konkurs për pranimin e stafit në atë klinikë në Graçanicë me anë të paraqitjes së fakteve të rreme, gjatë muajit nëntor të vitit 2017 kanë shfrytëzuar licencat e punës të të dëmtuarve disa personave, pa dijeninë e tyre. Kompania pasi aksionet janë bartur nga orataku me probleme me ligjin ka vazhduar të marrë tenderë.
Një platformë e krijuar nga Organizata “Fol” ka radhitur që kjo kompani nga viti 2017 e deri tash ka qenë pjesë e prokurimeve vlera e të cilave shkon mbi 4 milionë euro.
Në një përgjigje për InDoks ata tregojnë që me Ministrinë e Shëndetësisë bashkëpunojnë mirë për 20 vite, dhe atë kanë furnizuar edhe institucione tjera në vend- përfshirë edhe institucione ndërkombëtare. Për produktin që janë shpërblyer në këtë tender, thonë se kanë qenë të vetmit që e kanë ofruar atë produkt në këtë tender urgjent.
“Agani Ltd nuk është i vetmi operator që mund te siguroj produktin morfinë të kërkuar nga Ministria e Shëndetësisë. Tenderi ka qenë me procedurë te negociuar. Ne nuk kemi qasje ne informacionin se sa Operatorë Ekonomik ka ftuar MSH për prezantim të ofertave për ketë procedurë te negociuar Gjithsej kanë ofertuar tre Operator Ekonomik. Për Lot 31 Morphine, përveç Agani Ltd asnjë Operator Ekonomik tjetër nuk ka ofertuar.
Operatori Ekonomik Agani është shpërblyer me kontrate për një Lot ne vlere 16,055.00 EUR (nëse na refuzohet leja e importit nga AKPPM, Agani Ltd do ta shkëputë kontratën me AK me anë të zgjidhjes miqësore, pasi që kompanitë tjera nuk janë ne gjendje te sigurojnë ketë artikull kështu që përfundimisht MSH nuk do të mund te furnizohet me ketë artikull)”, janë shprehur nga kompania’ Agani LTD’/InsajderiInDoks