Investimet strategjike po fokusohen tashmë në veri. Komiteti i Investimeve Strategjike miratoi statusin “Investim/Investitor strategjik procedurë e veçantë” për një projekt në zonën e Shëngjinit, i cili do të zhvillohet në pronë private.
Bëhet fjalë për subjektin Dukagjini Group sh.p.k që sipas projektit të paraqitur në KIS parashikon ndërtimin e një resorti turistik, ku do të ketë një hotel me 5 Yje me 140 dhoma si dhe njësi akomoduese, së bashku me ambiente shërbimi si restorante, kazino dhe park ujor në Bashkinë Lezhë.
Vlera e investimit për projektin e propozuar parashikohet të jetë 70.2 milionë euro dhe numri i të punësuarve parashikohet të jetë 218 punonjës.
Lidhur me statusin specifikohet se ai i jepet subjektit për një periudhë 3-vjeçare duke specifikuar më vete se cili do të jetë lloji i mbështetjes që merret.
Ndërkaq në mbledhjen e fundit, Këshilli i Investimeve Strategjike nuk ka pranuar disa kërkesa për zhvillime resortesh në zonën bregdetare nga Golemi e deri më poshtë në jug, si në Llaman apo Livadh.