Mbi 80 fëmijë boshnjakë janë në territorin që kontrollohet nga grupi militant Shteti Islamik në Siri dhe Irak dhe mund të paraqesin rrezik të madh për sigurinë kur të kthehen, thuhet në një analizë.
Analiza e kryer nga Nisma Atlantike, me seli në Sarajevë, ka gjetur se numri i luftëtarëve meshkuj, i cili ka qenë 188 në periudhën trevjeçare deri në fund të vitit 2015, ka rënë në 91, pasi 47 persona janë kthyer në Bosnje dhe 50 kanë vekur.
Sipas analizës, më pak se gjysma e boshnjakëve në Siri në muajin prill kanë qenë të moshës ushtarake dhe atje kanë qenë edhe 52 gra dhe 80 fëmijë.
Disa fëmijë, të cilët kanë shkuar në rajon me familjet e tyre, u janë bashkuar njësiteve ushtarake të Shtetit Islamik, thuhet në analizë.
Sipas dëshmitarëve dhe mediave sociale, djem të moshës 13 ose 14 vjeç kalojnë nëpër trajnime ushtarake përpara se u bashkohen formacioneve luftarake.
Së paku një i mitur nga Bosnja është vrarë duke luftuar, thuhet në analizën që u bën thirrje autoriteteve boshnjake të parandalojnë dërgimin e fëmijëve në zona të konfliktit, shkruan REL.
“Po shohim një brez krejtësisht të ri të fëmijëve që janë rritur në fushëbetejë ose pranë fushëbetejës”, tha Vllado Azinoviq, bashkautor i analizës.
Myslimanët boshnjakë janë grupi më i madh i luftëtarëve nga Ballkani Perëndimor që i janë bashkuar Shtetit Islamik në Siri dhe Irak.
Pas tyre vijnë ata nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia.