×
  • Op-Ed
  • Op-Ed

    Mbi Lirinë e Njeriut

    Insajderi
    26 September 2022 - 11:09
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Shkruan: Bledar Kurti

    Jean-Paul Sartre besonte se qeniet njerëzore jetojnë në ankth të vazhdueshëm, jo ​​vetëm sepse jeta është e mjerueshme, por sepse, sipas tij, ne jemi ‘të dënuar të jemi të lirë’. Ndërkohë që rrethanat e lindjes dhe të rritjes sonë janë jashtë kontrollit tonë, ai arsyeton se sapo të bëhemi të vetëdijshëm (dhe ne të gjithë përfundimisht bëhemi të vetëdijshëm), ne duhet të bëjmë zgjedhje – zgjedhje që përcaktojnë ‘esencën’ tonë.

    Por ka shumë të meta në një arsyetim të tillë dhe në këtë argument të Sartrit. Ai e konsideron lirinë përgjatë kornizës kohore të jetës. Ai iu referua zgjedhjeve të jetës dhe jo lirisë. Zgjedhjet janë veprime të vogla që nuk kanë kurrëfarë kuptimi në jetën në përgjithësi, në botë, dhe janë jashtëzakonisht të parëndësishme në një shkallë më të madhe, siç është universi.


    Sipas tij, zgjedhjet përcaktojnë thelbin tonë? Çfarë thelbi? Mish që kalbet përgjithmonë? Çfarë roli luajnë fisnikëria, drejtësia, mirësia, bamirësia, dashuria, empatia në galaktikë?

    Dhe cili është në të vërtetë thelbi i lirisë? Nuk quhet liri individuale të udhëtojmë ku të duam, të martohemi me kë të duam (edhe kjo nuk varet tërësisht nga ne, përfshihet një palë tjetër, që gjithashtu ka të drejtën e zgjedhjes, pa përmendur rastet e martesave të detyruara pa zgjedhje), të hamë dhe të pimë çfarë të duam, e kështu me radhë, por thelbi i lirisë ka të bëjë me çështjen e ekzistencës.

    Kjo mund të ngrysë disa vetulla, sepse ekziston një keqkuptim i përgjithshëm që të gjithë në tokë do të kishin zgjedhur të lindnin, por kjo është e pavërtetë, shumë do të dëshironin të mos kishin ekzistuar fare dhe do të kishin zgjedhur të mos kishin lindur e ardhur në këtë botë, por nuk iu ofrua kurrë një zgjedhje e tillë.
    Privimi i kësaj lirie të zgjedhjes ose moszgjedhjes së jetës vazhdon me përfundimin e rrugëtimit njerëzor: vdekjen. Përsëri, edhe për këtë nuk na u dha kurrë zgjedhja që të vdesim ose të jetojmë përgjithmonë. Kështu, nga A-ja te ZH-ja, nga jeta në vdekje, njerëzit vuajnë mallkimin e të mos paturit  zgjedhje.

    Midis lindjes dhe vdekjes rrjedha e jetës përbëhet nga përpjekje të parëndësishme si arsimimi, puna, sporti, muzika, artet, letërsia, ndërtimi, shpikja, politika, bërja e fëmijëve, etj. Ironia është se nëse nuk je gjeni në një nga fushat e jetës, duke dhënë një ndikim të madh në botë dhe në jetët e të tjerëve, që do të mbahen mend për mijëvjeçarë, ti je thjesht një individ i rastësishëm i vetë-mashtruar që jeton në një flluskë të kotësisë. Nëse bën fëmijë, ti po vazhdon dhe po kontribuon në zinxhirin e skllavërisë sepse nuk po u jep fëmijëve të tu lirinë të zgjedhin nëse duan të lindin apo jo, dhe nëse një ditë të pyesin pse o prindër e morët ju atë vendim për ne, siç bëjnë shumë prej tyre (po, ndodh me të vërtetë) e vetmja përgjigje që mund t’u japësh lidhet me egoizmin tënd: që mami dhe babi të bëheshin me fëmijë e familje si gjithë të tjerët, të sillnin gëzim në shtëpinë e tyre, që të ruhet mbiemri, të thyhej monotonia e mërzinë ose sepse çiftit i pëlqenin fëmijët dhe dëshironin t’i vishnin me rroba të bukura dhe t’u blinin dhurata, dhe kur fëmijët të rriteshin ata do ishin pleq të kujdeseshin për ta.

    Ti, ti, ti, gjithçka ka të bëjë me ty, jo me ata. Sepse ti kurrë nuk u dhe atyre një zgjedhje. Dhe sigurisht që nuk mundeshe, sepse as ti s’e ke patur atë zgjedhje. Ky është rrethi vicioz i skllavërisë së njeriut dhe farës së tij.

    Disa mund të thonë, ka kaq shumë bukuri në jetë, pse tregohesh kaq cinik? Absolutisht që ka bukuri! Nuk ka asnjë shpirt të vetëm që nuk pajtohet me një deklaratë të tillë. Por hileja është se njerëzit nuk janë autorët e bukurisë dhe ne nuk kemi asnjë kontroll mbi të. E as që mundemi ta imitojmë dot. Përpiqemi por pa ia dalë kurrë. Jemi të pafuqishëm dhe kjo na bën të dobët, pra, nën mëshirën e rrethanave, të asaj që njerëzit e quajnë rëndomë fat.

    Ne jetojmë nën iluzionin e lirisë dhe zgjedhjes së lirë, por jemi të përcaktuar si një spilë në hartë, të lindur në një familje, vend dhe kontinent, flasim një gjuhë që nuk e zgjodhëm dhe të gjithë ne banojmë në këtë glob të quajtur Tokë. Shumë prej njerëzve kanë lindur në familje abuzive, në vende të varfra me kufij të mbyllur, të paaftë për të udhëtuar lirshëm, shumë e sigurojnë jetesën me punë që nuk i pëlqejnë, të tjerë nuk kanë fare punë dhe nuk mund të përmbushin kurrë ëndrrat dhe pasionet e tyre, dhe miliona janë vrarë nga lufta, ose të zhvendosur me forcë nga shtëpitë e tyre. Ka nga ata që shkruajnë, pikturojnë, krijojnë muzikë, merren me sport, apo shpikin. Të gjitha këto kategori krijuese jetojnë nën torturën e kohës, të terrorizuar nga standardet e larta të mjeshtrave të mëdhenj të gdhendura ndër shekuj. Një shkrimtar e di në të pandërgjegjshmen e vet se ai nuk vlen asgjë në krahasim me Shekspirin, megjithatë vazhdon të shkruajë vetëm për të kaluar kohën e tij në tokë; një piktor nuk është aq i mirë sa Leonardo, Rembrandt e shumë artistë të tjerë të mëdhenj, megjithatë ai pikturon duke mashtruar veten se disa njerëz mund ta lavdërojnë si të jashtëzakonshëm, duke ushqyer egon e vet me kotësi; dhe muzikantët ndihen të turpëruar kur dëgjojnë Mozart-in ose Bet’hoven-in, megjithatë ata vazhdojnë të krijojnë muzikë me justifikimin se ajo vjen nga përbrenda dhe kanë dëshirën ta nxjerrin jashtë shpirtit, duke e ditur shumë mirë se ata janë thjesht argëtues e gaztorë të përkohshëm. E njëjta gjë ndodh në sport dhe shkencë, njerëz që thjesht përpiqen shumë pa ia kaluar Njutonit apo Ajnshtajnit. Kështu, ne të gjithë, secili prej nesh, i përkasim vëllazërisë së mediokritetit që jeton nën iluzionin e përsosmërisë.
    (Por a nuk ishin edhe ata gjeni vdekatarë pa të drejtën e zgjedhjes së ekzistencës? Përpara tyre gjunjëzohen dhe kometat, ndaj janë përjashtim për çdo argumentim.)

    Për ta luftuar këtë gjendje të dëshpëruar, ne shpikëm konceptin e unit: unë kam rëndësi, unë mendoj, unë duhet të shpreh ndjenjat e mia, çdo gjë që imagjinoj mund të jetë e vërtetë, beso në veten tënde dhe do t’ia arrish. Të arrish çfarë? A mund ta zhbësh lindjen tënde? A mund të ulesh dhe të projektosh jetën që dëshiron të jetosh dhe ta jetosh atë saktësisht siç e planifikon? Jo. Absolutisht jo. A je i lirë të zgjedhësh kohën e vdekjes tënde apo a të është ofruar zgjedhja e pavdekësisë?

    Dikush mund të zgjedhë të bëjë vetëvrasje, duke përcaktuar kështu kohën e vdekjes së vet. Edhe këtu ekziston një kleçkë tjetër. Feja, çdo fe, dhe meqë ra fjala gjithçka është fe, edhe ateizmi, madje edhe dashuria, e konsideron vetëvrasjen mëkatin më të madh. Zgjedhja dhe liria e vetme që njeriu beson se kontrollon, pra dhënia fund e jetës me dëshirë, do ta dërgojë atë në ferr, ku me shumë mundësi aty do të përfundojnë edhe të parët e tij dhe nipërit e tij, sepse ne të gjithë vdesim, në një mënyrë ose në një tjetër. Kjo është e vetmja siguri e jetës. Dhe nëse disa shkojnë në parajsë, ata do të jenë të paktë, kryesisht vetëm, rrallëherë me anëtarët e familjes dhe të dashurit e tyre. Shkrimet e shenjta thonë kështu. Lexoi.

    Por ka, sigurisht, të tjerë që nuk besojnë as në parajsë, e as në ferr, por janë të bindur se në fund ne thjesht kthehemi ushqim për krimbat pasi varrosemi e mbulohemi prej dheut. Edhe në këtë rast duhet kuptuar ironia tjetër, që gjatë të gjithë jetës brejtësit tanë i kemi patur brenda vetes që nga foshnjëria gjer në pleqësi, se nuk janë krimbat e dheut ata që na hanë kur vdesim, por krimbat që mbartim brenda vetes teksa jemi gjallë. Po, po, janë brenda të gjallëve tani, e ushqehen me çfarë ushqehemi ne. Kur ne vedim, ata nuk kanë me çfarë të ushehen më brenda nesh ndaj nisin e hanë trupin tonë bashkë me të gjitha organet e brendshme. Duke shuar çdo gjë, me përjatshim të kokcave dhe flokëve. A do të tregojnë krimbat respekt dhe a do t’i kursejnë fituesit e çmimit Nobel, mjekët e mirë që shpëtuan jetë njerëzish, ideatorët dhe edukatorët e mëdhenj, e kështu me radhë, apo do t’i brejnë e përtypin ato me uri dhe do t’i tresin trupat e tyre të vdekur njësoj siç bëjnë me përdhunuesit, vrasësit dhe diktatorët që kryen gjenocid?

    Kësisoj, jeta është një rreth në të cilin ne nuk zgjedhim pikën e fillimit e as të përfundimit. Ne jemi vetëm një rreth, i parëndësishëm, duke marrë frymë në skllavërinë e paracaktimit, megjithatë me arrogancë sillemi e veprojmë sikur sundojmë botën, kontrollojmë jetën (ndërkohë që nuk arrimë të kontrollojmë dot as gjuhën e as ëndrrat e natës), projektojmë të ardhmen, duke shtypur të vërtetën e lindur brenda secilit prej nesh, që jemi thjesht kotësi.

    A e di emrin e bletës që prodhoi mjaltin që hëngre këtë mëngjes? E ke takuar pulën, gjoksin e së cilës e shijove për drekë? Po peshku që do të sigurojë darkën tënde këtë mbrëmje kur të shkosh në pijetore dhe do të porosisësh një gotë birrë shoqëruar me një pjatë peshku me patate, e me sallatë jeshile? Mendo për pemën tënde familjare. Kthehu tre ose katër breza prapa. Si quhej stër-stër-stër gjyshi yt? Pikërisht. Kështu do të jesh ti, pas tre brezash në të ardhmen. I harruar.

    Sartri gaboi, ne nuk jemi të dënuar të jemi të lirë. Jemi të mallkuar dhe të privuar nga çdo formë lirie. Liritë e vogla që ne, ose më mirë të themi, disa prej nesh, gëzojmë, janë të parëndësishme për tërësinë e gjërave. Çfarë hendekësh dhe boshllëqesh mbushin ato, veç dëshirave tona, të vogla, mikroskopike, që vlejnë asgjë?

    Gjatë gjithë historisë sonë njeriu është përpjekur të gjejë kuptimin dhe rëndësinë, por më kot. Faraonët egjiptian ndërtuan piramidat duke dëshiruar që emrat e tyre të kujtoheshin dhe varret e tyre të lavdëroheshin për mijëvjeçarë, por varret e tyre u grabitën dhe llustra e bardhë e jashtme e piramidave u zbeh dhe u kthye në ngjyrën e pluhurit. Leon Battista Alberti (1404–72) tha se “një njeri mund të bëjë gjithçka nëse dëshiron”. Dhe ky ideal frymëzoi Rilindjen e Artë të besonte se “Njeriu është qendra e Universit”. Sa prej jush e kanë dëgjuar emrin e tij më parë?

    “Të rrosh, a të mos rrosh,” shkroi Shekspiri, duke dashur me të vërtetë që jo vetëm Hamleti, jo vetëm vetë ai, por mbarë njerëzimi ta kishte këtë zgjedhje. Ai e dinte dhe ne e dimë, që nuk e kemi.

    Njeriu nuk është i lirë. Nga mitra në varr, dhe gjatë jetës, nuk ka asnjë kontroll mbi asgjë, megjithatë ne të gjithë mbajmë një barrë të rëndë përgjegjësie: mbijetesën. Ashtu si çdo krijesë tjetër, insekt apo qelizë, por ndryshe prej tyre, ne jemi në kërkim të kuptimit, misioni ynë i vetëm në jetë, por që edhe ky mision nuk na është dhënë me zgjedhje dhe as me vullnet të lirë. Na u dha si karrem, për të na joshur, për të na bërë të rendim, ashtu si qentë që vrapojnë pas kockave, si të çmendurit që përpiqen të kapin erën.

    Disa i drejtohen dijes. Mendjet mesatare kërkojnë kuptimin dhe urtësinë në thelbin e të qenurit, megjithatë, ashtu si çdo paradoks tjetër në këtë grimë kohore që ne e quajmë jetë, njerëzit më të mençur të certifikuar në të gjithë historinë njerëzore, Sokrati dhe Platoni thanë “ipse se nihil scire id unum sciat.” Unë di që nuk di asgjë.

    Madje ai e përdor 79 herë fjalën “kotësi” në librin e tij.

    E shikon? Më mirë të mos kishe lindur fare? Apo jo? Atëherë, pse nuk na u dha kurrë kjo zgjedhje? Po të na ishte dhënë, do të ishim të lirë. Të ndërgjegjshëm për përgjegjësitë që vijnë me të. Të gjykuar drejtësisht për veprimet dhe përpjekjet tona. Por ja, tragjikisht, të privuar e diktuar, jemi drejtuar me pavetëdije e pa zgjedhje, madje duke u rendur e garuar kush të mbërrijë i pari, drejt humnerës që ka vend për të gjithë, që na pret krahëhapur e me përqeshje.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark