×
  • Lajme
  • Analiza

    Mbi një vit zvarritje- A po e favorizon Apeli Kryeinspektorin e Punës pas takimit që pati me të parin e kësaj gjykate

    Insajderi
    09 July 2024 - 11:11
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Kryeinspektori i punës i emëruar nga Qeveria e kryeministrit Albin Kurti pa konkurs, nga një institucion i pavarur ishte gjetur si shkelje e rëndë. Që duhet të anulohej si vendim. Lënda mes Qeverisë e Këshillit për Shërbyesit Civil pa përfunduar nëpër gjyqe. Tash e mbi një vit, ani pse është kontest pune që rëndom përfundohen pas gjysmë viti, kjo lëndë ende nuk ka marr një epilog. Kryeinspektori Hekuran Nikçi, për të cilin duhet të vendos kjo gjykatë, kohë më parë kishte pasur një takim me Kryetarin e Gjykatës së Apelit, Valon Totaj. Për Insajderin kanë folur nga kjo gjykatë

    Gazeta Insajderi

    “Prishtinë, 21.09.2022 – Kryetari i Gjykatës së Apelit, Valon Totaj, ka pritur në takim Kryeinspektorin e Inspektoratit të Punës Hekuran Nikçi”. Kjo komunikatë e Gjykatës së Apelit ende është një nga rezultate e para që të jepet në internet kur i bën bashkë emrat Valon Totaj + Hekuran Nikçi.

    Edhe pse në një përgjigje për Gazetën Insajderi, në këtë Gjykatë kanë mohuar që ky takim dhe raporti i ndërtuar mund të kenë pasur ndonjë ndikim në vendimet e Gjykatësve, ajo që dihet është që tashmë kanë kaluar mbi një vit që Gjykata e Apelit nuk ka vendosur për rastin ku Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës (KPMShC) po e vazhdon betejën ligjore me Qeverinë e Kryeministrit Albin Kurti për ta anuluar vendimin me të cilin Nikçi u bë Kryeinspektor pa konkurs.

    Në një përgjigje dhënë Gazetës Insajderi, në Gjykatën e Apelit kanë thënë që është volumi i lëndëve – dhe mohojnë ndonjë ndikim që lënda të zvarritet.

    Lënda ku KPMShC del kundër Qeverisë- Ministrisë së Financave dhe Transfereve dhe kërkon që vendimi për ta emëruar pa konkurs Nikçin të anulohet është pranuar më 2 qershor 2023.

    Deri në fillim të korrikut, 2024, pra në faqen e Gjykatës së Apelit me me numrin që i është dhënë këtij rasti nuk ka vendim. Rrjedhimisht, Apeli nuk i ka dhënë epilog kësaj beteje të nisur vite më parë mes KPMShC e Qeverisë, derisa mandati i kontestuar i Hekuran Nikçit po i vije fundit.

    “…me datën 02.06.2023, në Gjykatën e Apelit të Kosovës, është pranuar lënda AA.nr.354/2023, në çështjen e konfliktit administrativ në mes të paditëses Ministria e Financave, Punës dhe e Transfereve me seli në Prishtinë, e përfaqësuar nga Avokatura Shtetërore e Republikës së Kosovës, kundër të paditurit Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës me seli në Prishtinë, për shkak të anulimit të vendimit (tani për shqyrtim meritor të çështjes). Në bazë të informatave të siguruara nga gjyqtarët të cilët punojnë në lëminë administrative, del se aktualisht pranë kësaj gjykate janë duke u trajtuar lëndë të lëmisë administrative të vitit 2023, andaj kuptohet që në raport me lëndën në fjalë nuk ka pasur kurrfarë vonese apo trajtimi specifik dhe se e njëjta sikurse edhe lëndë të tjera të kësaj natyre do të shqyrtohet në bazë të kohës së arritjes pranë kësaj gjykate”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës dhënë Gazetës Insajderi.

    Por, nga sinjalizues brenda Gjykatës në fjalë, Insajderi ka siguruar vendime të rasteve që lidhen po me Qeverinë- Ministrinë e Financave, e që janë deponuar muaj më vonë se sa rasti i Hekuran Nikçit, e që Gjykata ka marrë vendim.

    Një rast i tillë është kur një person privat kishte paditur të njëjtën ministri, por e kishte bërë më 7 shtator 2023, dhe lëndës i ishte dhënë epilog- Gjykata mori vendim 8 mars 2024.

    Në një tjetër rast të një padie të një personi privat po kundër të të njëjtës ministri, që ishte deponuar më 3 korrik 2023, vendimi ishte nxjerr nga Gjykata e Apelit 26 shkurt 2024.

    Edhe pse rasti i Hekuran Nikçit, padi e ngritur nga KPMShC kunër vendimit të Qeverisë është deponuar në qershor 2023, as në korrik 2024 ende nuk ka një vendim.

    Në përgjigjen për Insajderi, Gjykata e Apelit thotë që nuk është e ndikuar, pasi që në të kaluarën ka vendosur në disfavor të Nikçit.

    “…në kohën kur është realizuar vizita e z.Nikçi, vërtetë në Gjykatën e Apelit, ka qenë në procedurë e sipër çështja Aa.nr.702/2022, ndërmjet palëve të lartcekura lidhur me propozimin për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit (i cili është aspekt procedural dhe jo meritor i çështjes), e ku nga ana e Gjykatës së Apelit, me datën 27.09.2022 (një javë pas vizitës së z.Nikçi), është refuzuar ankesa e paditëses – propozueses Ministria e Financave, Punës dhe e Transfereve, ndërsa është vërtetuar aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti për Çështje Administrative A.nr.1892/2022, i datës 22.08.2022. Pra kuptohet që vendimi në fjalë ka qenë në disfavor të z. Nikçi”, thuhet në përgjigjen e kësaj Gjykate dhënë Insajderit.

    Sipas Apelit, vizita ku u takuan Kryetari i kësaj Gjykate, Totaj dhe Kryenispektori Nikçi, “ka qenë e karakterit ekskluziv zyrtar me qëllim të njoftimit të ndërsjellë lidhur me problematikat me të cilat ballafaqohen institucionet në fjalë si dhe gjetjen e zgjidhjeve sa më të drejta dhe efikase për trajtimin e tyre. Pra objekt diskutimi kanë qenë çështjet ekskluzive zyrtare dhe në interes të përgjithshëm të qytetarëve të Republikës së Kosovës”.

    “Për dijeninë tuaj, kryetari Totaj me kryeinspektorin Nikçi nuk janë nuk kurrfarë lidhje familjare apo miqësore, e as që njihen në mes vete. Ky ka qenë takimi i parë dhe i fundit deri më tani në mes tyre”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës dhënë Insajderit.

    Me propozim të Ministrisë së Financave, në Qeverinë e Kosovës ishte votuar Hekuran Nikçi për Kryeinspektor të Inspektoratit të Punës.

    Ky vendim i Qeverisë ishte bërë në kundërshtim me ligjin, meqë për pozitën në fjalë duhej organizimi i konkursit.

    Si rezultat i kësaj, në korrik 2022, KPMShC pas një monitorimi të jashtëzakonshëm duke u bazuar në shkresat e rastit ka kërkuar nga kryeministri i Republikës së Kosovës që të kthejë mbrapsht vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për emërimin e Hekuran Nikçit si Kryeinspektorit të Inspektoratit të Punës.

    Kjo pasi që një pozitë e tillë hynë në kuadër të pozitave të larta të Shërbimit Civil dhe si e tillë i nënshtrohet rendit juridik për Zyrtarët Publik. Bazuar në këtë, vendimi i Qeverisë së Kosovës për të emëruar Kryeinspektorin e Inspektoratit të Punës pa procedura rekrutuese është shkelje e Ligjit për Zyrtarë Publik.

    Që nga ajo kohë mes Qeverisë e KPMShC-së ka pasur një betejë ligjore të vazhdueshme nëpër gjyqe ku kjo e fundit ende këmbëngul që ky vendim duhet të anulohet, e Qeveria që Nikçi të vazhdoi punën. Derisa procedura në Gjykatë vazhdon, Nikçi vazhdon ta ushtroi detyrën edhe pse i kontestuar me konstatimin- i paligjshëm nga një institucion si KPMShC që është i mandatuar për ta interpretuar paradhënien e punës në institucionet publike./ Gazeta Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika
    Lajme
    22 November 2024

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark