Qeveria e Kosovës dhe ajo e Maqedonisë së Veriut pritet të mbajnë mbledhjen e përbashkët në shtator të këtij viti, në të cilën synohet nënshkrimi i marrëveshjeve që përfshijnë pothuajse të gjithë sektorët. Kështu deklaron zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike në shtetin fqinj, Fatmir Bytyqi, sipas së cilit, përgatitjet për këtë mbledhje janë në fazën finale. Në një intervistë për KosovaPress, Bytyqi flet edhe për iniciativën “Open Ballkan”, masat shtrënguese si pasojë e pandemisë dhe reagimin e qeverisë së Maqedonisë së Veriut për rimëkëmbjen ekonomike.
Ai thotë se në mbledhjen e përbashkët të qeverive do të tregojnë qartë se çfarë do të thotë fryma e bashkëpunimit rajonal.
“Përgatitjet janë në fazën finale, sipas informatave të fundit këtë javë, mendoj që në shtator mund të ndodh mbledhja e përbashkët në mes dy vendeve ku realisht mendoj që do të tregojmë haptas se cfarë do të thotë me të vërtetë fryma e bashkëpunimit rajonal, sepse do të kemi firmosje të disa marrëveshjeve dhe iniciativave të përbashkëta për t’u mundësuar qytetarëve tanë me të vërtetë një bashkëpunim më të madh dhe një prosperitet më të shpejtë sesa që e kanë pasur më parë”, thotë Bytyqi.
Përveç marrëveshjeve ekonomike, Bytyqi thotë se do të ketë nënshkrime për bashkëpunim pothuajse në të gjitha fushat.
“Të ndryshme, të fushave të ndryshme, prej aspektit të marrëveshjeve ekonomike, të bashkëpunimit rajonal të dy shteteve, pothuajse të gjitha institucionet janë të kyçura dhe do të ketë një sërë marrëveshjesh që do të firmosen por janë përgatitjet e fundit duke u bërë, mendoj që shumë shpejtë do të bëhet e ditur edhe në publik”, thotë ai.
Zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike në Maqedoninë e Veriut thotë që së shpejti do të bëhet i ditur vendi ku do të mbahet mbledhja dhe prioritet e saj.
Në intervistën dhënë për KosovaPress, Fatmir Bytyqi thotë se bashkëpunimi rajonal krijon konkurueshmëri më të madhe për ekonominë e të gjitha vendeve dhe është një mundësi e mirë për një të ardhme më të ndritur për të gjitha vendet përreth.
Duke folur për atë që njihet si minishengen ballkanik, e që ditë më parë ka marrë emërtimin “Open Ballkan”, Bytyqi thotë se një nismë e tillë nuk e minimizon procesin e Berlinit.
Derisa këtë nismë e kundërshton fuqishëm Kosova, zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut thotë se nuk duhet humbur një mundësi e tillë e bashkëpunimit rajonal.
“Ajo iniciativë(Open Ballkan)është e vonuar, në fakt mendoj që periudha e Covid-19 vetëm dëshmoi që nëse duam që rimëkëmbjen ekonomike ta kemi të shpejtë mendoj që çdo ditë e më herët do të duhet t’i kyçemi iniciativave çfarëdo quhen ato, por duke i lënë aspektet politike, duke parë vetëm aspektin ekonomik të ngritjes së konkurueshmërisë rajonale, të krijimit të zinxhirit të vlerës së shtuar në Ballkanin Perëndimor dhe se si ky zinxhir do të jetë pjesë e vlerës së tregjeve globale. Periudha Covid-19 krijoi një dritare, ajo është që të kapim një mundësi të kompanive të cilët në fakt duan të largohen prej vendeve të largëta siç është Kina, Indonezia etj, kompani të cilat duan ta sjellin zinxhirin e ofertës më afër prodhimit të tyre. Dhe kjo është dritarja që Ballkani Perëndimor duhet ta shfrytëzon në emër të krijimit të konkurueshmërisë rajonale, sepse nëse këtë dritare na e mbyllim dhe e humbim për shkak të kapriceve tona, mendoj që gjeneratat e ardhshme do na dënojnë”, thotë Bytyqi.
Sipas tij, kjo nismë do të thotë treg rajonal të barabartë për të gjitha vendet.
Ai konsideron se qëllimi i kësaj iniciative do të dëshmohet dhe gradualisht Kosova, Mali i Zi dhe Bosnje e Hercegovina do t’i bashkohen asaj.
“Nuk e quaj as minishengen , po e quaj si iniciativë iniciativë ekonomike, dhe nëse nuk diskutohet asnjëherë nuk mund të kuptohet. Andaj unë i kuptoj brengat, e kuptoj çdo moment të hezitimit por duhet të diskutohet sepse fundja qëllimi i iniciativës është qëllim fisnik, ajo është t’i sjellim një mundësi më të madhe qytetarëve tanë, bizneseve tona, ekonomive tona. Sepse po e them, kjo është jetike për rimëkëmbjen më të shpejtë në periudhën pas COVID, nëse e humbim një rast të tillë, do e humbim të gjithë”, thotë ai.
Sipas tij, kur vendet e rajonit të bëhen pjesë e Bashkimit Evropian, për shkak të ekonomive të ulëta do të jenë pak të konkurueshëm ndaj ekonomive globale, andaj shton ai, është koha e konkretizimit të bashkëpunimit rajonal.
Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka marrë vendim që prej nesër, në çdo organizim ku janë të pranishëm më shumë se 30 persona, të kërkohet në hyrje dëshmia e vaksinimit, të paktën me një dozë. Por po e shqyrton mundësinë që të lejohet hyrja edhe për ata të cilët e kanë kaluar COVID-19 dhe dëshmohen me një test PCR.
Zëvendëskryeministri për Çështje të Ekonomisë në Maqedoninë e Veriut, Fatmir Bytyqi thotë se masa të tilla janë të domosdoshme për të penguar përhapjen e virusit, që së fundi po shënon rritje në të gjitha vendet.
“Ajo cfarë gjithsesi si qeveri duhet ta bëjmë është të ndërmarrim masa për të mbrojtur shëndetin publik dhe të mbrojmë çdo qytetar, andaj prej datës 16 të këtij muaji do të kemi restrikcione të caktuara, ajo është që hyrja nëpër objektet hotelerike, gastronomike, do të jetë e limituar, vetëm për ata të cilët kanë certifikatë të vaksinimit me të paktën nj dozë të vaksinës, që do të thotë se të gjithë ata që nuk janë të vaksinuar jemi duke diskutuar ndoshta eventualisht do të lejohet edhe për ata të cilët e kanë kaluar sëmundjen COVID-19, ose me një test negativ PCR që t’u limitohet lëvizja”, thotë ai.
Sipas tij, se një valë e re e pandemisë në sektorin e shëndetësisë, nuk do të duhej të ketë më implikime ekonomike, meqë thotë se vendi është i përgatitur të intervenojë në sektorin e biznesit nëse një gjë e tillë është e nevojshme.
Bytyqi deklaron se vitin e kaluar Maqedonia e Veriut ka përdorur rreth 1.1 miliardë euro në ballafaqim me krizën ekonomike.
Ai shton se janë rreth 19 mijë vende të punës të humbura si pasojë e pandemisë por që 12 mijë prej tyre brenda këtij viti t’i kthejnë në tregun e punës.
“Vitin e kemi mbaruar me një rënie prej 4.5% të brutoprodhimit vendor, që është një prej përqindjeve më të ulëta në rajon, por edhe nëse krahasojmë me shtet e tjera qoftë të Bashkimit Evropian, por edhe jashtë Bashkimit Evropian, mendoj që është një përqindje reale e vogël dhe në analizat e bëra, në fakt sikur mos të ishin masat ekonomike rënia ekonomike do të ishte 8.7%, që i bie se për shkak të masave ekonomike kemi arrit që të ulim rënien diku 4.2%, që është një sukses ta themi. Nga aspekti i humbjes së vendeve të punës ne realisht vitin 2020 e kemi mbaruar me diku rreth 19 mijë vende pune të humbura, që është shumë më i ulët në krahasim prapë me vendet e ngjashme të rajonit, por nga ana tjetër, këtë vit kemi krijuar masa të tilla ekonomike për ripunësimin e të gjithë atyre që kanë humbur vendin e punës, nëpërmjet masave aktive të punësimit dhe pritja është që rreth 12 mijë të tillë do kthehen në tregun e punës”, thotë ai.
Sipas Bytyqit, fusha e gastronomisë, hotelerisë dhe turizmit është përkrahur më së shumti gjatë pandemisë e që ka rezultuar që në këta sektor të ketë humbje më të vogël të vendeve të punës.