Këshilli i Sigurisë ka mbajtur mbledhje të jashtëzakonshme, gjersa ka aprovuar masa shtesë për të forcuar sigurinë rreth objekteve dhe shërbimeve kritike si ura, trafostacione, antena, liqene, kanale etj, pas sulmit në Zubin Potok.
“Policia e Kosovës dhe Forca e Sigurisë së Kosovës do të aktivizohen në terren për këtë qëllim. Po ashtu është intensifikuar bashkëpunimin ndërinstitucional dhe ai ndërkombëtar për të parandaluar sulme të ngjashme në të ardhmen”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Qeveria e Kosovës, pas mbledhjes së jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurisë, të mbajtur në orët e para të mëngjesit të sotëm.
Në mbledhjen që u thirr pas sulmit të tretë në 72 orët e fundit, bëhet e ditur se u potencua edhe njëherë se indikacionet e para sugjerojnë se shpërthimi në kanalin e ujit që furnizon KEK-un me ujë është orkestruar nga shteti serb.