Për viktimat e zjarrit i cili kaploi një ndërtesë shumëkatëshe në Londër, ku si pasojë mbetën të vdekur 30 persona si dhe qindra të tjerë pa kulm mbi kokë, janë mbledhur 3.8 milionë dollarë, raporton Anadolu Agency (AA).
Banorët e Londrës dhe pjesëve tjera të Anglisë kanë dhuruar sasi të mëdha të ujit, ushqimit dhe veshjeve për të mbijetuarit, ndërkohë që u kanë siguruar edhe strehim, pasi zjarri shkatërroi në tërësi banesat e tyre.
Tre aksione të publikuara në faqen e internetit “JustGiving” kanë mbledhur gati katër milionë dollarë, ndërsa në një aksion të ndarë të së përditshmes “Standard Evening” deri të shtunën në mëngjes janë mbledhur 1.9 milion dollarë tjera.
Qeveria britanike ka thënë se ka krijuar një fond emergjence për viktimat me 6.3 milionë dollarë.
Të mërkurën, zjarri kaploi ndërtesën 24 katëshe Grenfell Toëer, duke shkaktuar zemërim dhe protesta në komunitetin lokal, të cilët u ankuan për mënyrën e reagimit të qeverisë ndaj kësaj tragjedie.
Edhe të shtunën në mëngjes, zjarrfikësit e Londrës vazhduan të kontrollojnë banesat e djegura ndërkohë që reagimi publik akoma nuk është larguar.
Protestë kundër zyrtarëve
Një numër i madh personash në kuadër të protestës së organizuar nëpërmjet platformave të medias sociale janë mbledhur përpara godinës së Bashkisë Kensington e cila përfshin edhe ndërtesën ku ra zjarri në lagjen Latimer Road.
Protestuesit kanë kërkuar nga zyrtarët që të marrin përgjegjësi në lidhje me zjarrin, të japin informacione rreth personave “të humbur” pas zjarrit dhe të prekurit nga zjarri të vendosen menjëherë në ndërtesat në rajonin Kensington.
Gjithashtu protestuesit të cilët kanë brohoritur me sloganin “Menjëherë tani kërkojmë drejtësi” kanë theksuar se zyrtarët e bashkisë nuk i kanë marrë asnjëherë në konsideratë ankesat për sigurinë nga banorët e ndërtesës.
Ndërsa një grup i protestuesve të zemëruar kanë hyrë brenda ndërtesës së bashkisë duke vazhduar me brohoritjet.
Ka tërhequr vëmendjen se policia e Londrës ka ndjekur protestën vetëm me dy helikopterë nga ajri dhe me policët me kuaj të vendosur në distancë me protestuesit.
Ndërhyrja e vetme e policisë ndaj grupit ka ardhur pas tensioneve të përjetuara mes disa protestuesve të zemëruar dhe një punonjësi të shtypit.
Është konstatuar se banorët në ndërtesë në 4 vitet e fundit kishin kryer një numër të madh ankesash në bashki për çështjen e sigurisë nga zjarri. Teksa është vërejtur se këto ankesa nuk janë marrë në konsideratë në raportin në lidhje me rikonstruksionin e ndërtesës, por edhe në një inspektim të kryer në një periudhë të afërt është përcaktuar se ishte dhënë dispozita “e sigurtë”.
Teksa rritet numri i viktimave ende nuk ka ndonjë lajm për të humburit
Pas zjarrit i cili u mor nën kontroll pas disa orësh në ndërtesën sociale me 120 hyrje të bashkisë Kensington kanë humbur jetën 30 persona. Ndërsa ende është e paqartë situata në lidhje me 70 banorë të ndërtesës për të cilët nuk ka asnjë informacion pas ngjarjes. Teksa ka shqetësime për jetët e “të humburve” zyrtarët britanikë shprehen se do të rritet numri i të vdekurve.
Në ndërtesën Grenfell Tower ku 4 katet e para janë zyra dhe ambiente të përbashkëta parashikohet se në pjesën tjetër prej 20 katesh jetonin 400 deri në 600 persona.
Pavarësisht se dëshmitarët kanë njoftuar se zjarri ka nisur si pasojë e shpërthimit të një frigoriferi në katin e 4, ende në lidhje me këtë çështje nuk është bërë një deklaratë zyrtare.