Edhe pse duket se mbreti Charles i është rikthyer angazhimeve të tij të vazhdueshme në publik, ai njëherësh ka marrë edhe trajtimin kundër kancerit, pasi zbuloi diagnozën në fillim të këtij viti.
Por, sipas Daily Mail, monarku ka vendosur që të bëjë një pushim nga këto trajtime, për shkak të një turneu mbretëror gati 11-ditor. Dhe duket se mbreti Charles ka marrë konfirmimin e ekipit mjekësor për këtë veprim.
Duke filluar nga 18 tetori, mbreti do të jetë në disa vizita zyrtare në Sidnej dhe ky angazhim shënon udhëtimin e parë të Charles në Australi, që kur ai u bë mbret dhe kreu i Commonwealth. Turneu do të shënojë gjithashtu edhe një tjetër angazhim për herë të parë të Charles, si mbret në “Takimin e Kryetarëve të Qeverive të Commonwealth”.
Sipas të njëjtit burim: “Lartësia e tij do ta vazhdojë trajtimin ndaj kancerit pasi të kthehet nga ky udhëtim, por mjekët janë të lumtur për faktin se ai është në gjendje ta ndalojë këtë trajtim për një kohë të shkurtër.”
I ndërgjegjshëm për shëndetin e tij, mbreti Charles e ka pranuar faktin se po i jep përparësi përpjekjeve për shërim, pa harruar edhe rolin e tij si mbret.