Mbrojtja e Thaçit kërkon rrëzimin e disa pikave të aktakuzës – avokati Çerkini: Janë plotësuar kushtet për lirimin me kusht - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Mbrojtja e Thaçit kërkon rrëzimin e disa pikave të aktakuzës – avokati Çerkini: Janë plotësuar kushtet për lirimin me kusht

    Insajderi
    29 May 2025 - 20:17
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Të hënën, mbrojtja e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, së bashku me bashkëakuzuarit e tij, pritet të paraqesë mocionin për rrëzimin e disa prej pikave të aktakuzës në Dhomat e Specializuara në Hagë.

    Në lidhje me këtë proces, avokati i licencuar në Gjykatën Speciale, Artan Çerkini, theksoi se kjo procedurë përbën një hap të ri dhe të rëndësishëm për sistemin e drejtësisë ku përfshihen shtetasit e Kosovës.

    Ai shtoi se, ndonëse Dhomat e Specializuara de jure konsiderohen pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, procedurat që zhvillohen atje janë në thelb të ndryshme nga ato që aplikohen në Republikën e Kosovës.

    “Sipas kësaj procedure, Prokuroria e përfundon paraqitjen e rastit të saj, prezanton të gjitha provat dokumentare dhe dëgjon të gjithë dëshmitarët. Vetëm pas kësaj faze, mbrojtjes i jepet mundësia të paraqesë mocionin për rrëzimin e aktakuzës, duke argumentuar se provat e Prokurorisë nuk e përmbushin standardin e nevojshëm për të shpallur fajtor të pandehurit në lidhje me pikat përkatëse të aktakuzës,” u shpreh Çerkini në RTK

    Ai sqaroi më tej se në këtë fazë, gjykata mund të vendosë të hedhë poshtë disa aktakuza apo të gjitha. Në rast se ndonjë pikë e aktakuzës rrëzohet, ajo nuk do të trajtohet më në vazhdimin e procesit. Por nëse disa akuza mbeten në fuqi, atëherë mbrojtja do të ketë mundësinë të prezantojë kundër-prova në përpjekje për t’i rrëzuar ato gjatë fazës përfundimtare të gjykimit.

    Çerkini deklaroi se tashmë janë plotësuar të gjitha kushtet ligjore për lirimin me kusht të ish-presidentit Hashim Thaçi dhe të bashkëpandehurve të tij.

    Tutje, Çerkini theksoi se masa e paraburgimit është forma më e rreptë për sigurimin e prezencës së të pandehurit në një procedurë penale, dhe se ekzistojnë alternativa më të buta që duhet të merren parasysh, veçanërisht në fazat e avancuara të procesit.

    “Mendoj që tani janë plotësuar të gjitha kushtet ligjore për lirimin me kusht, ngase paraburgimi është masa më e rreptë për sigurimin e prezencës së të pandehurit në procedurë penale. Përveç paraburgimit, ekzistojnë edhe masa të tjera alternative. Sa më shumë të avancojë procedura, aq më shumë duhet të zbuteshin masat e sigurisë,” deklaroi Çerkini.

    Sipas tij, argumenti kryesor i Prokurorisë për mbajtjen në paraburgim ka qenë rreziku i ndikimit në dëshmitarë, por kjo bazë nuk ekziston më.

    “I vetmi argument i Prokurorisë ka qenë që të pandehurit të mbahen në paraburgim për shkak të rrezikut të ndikimit në dëshmitarë. Tashmë ky rrezik nuk ekziston, sepse Prokuroria e ka përfunduar rastin e saj dhe dëshmitarët e saj janë dëgjuar. Për rrjedhojë, nuk ka më mundësi që të ndikohet në dëshmitarët e Prokurorisë,” shtoi ai.

    Avokati Çerkini theksoi se për këto arsye paraburgimi është dashur të zëvendësohet me masa më të lehta të sigurisë, siç është për shembull arresti shtëpiak.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark