Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se kamionët ushtarakë të kompanisë gjermane RheinMetall të serisë Man HX2 të destinuar për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), do t’i shërbejnë shtetit për mbrojtje dhe siguri.
Këtë Kurti e ka deklaruar me anë të një postimi në ‘Facebook’, teksa ka shtuar se Kosova ka pranuar gjithësej 15 sosh. Sipas tij, 10 prej tyre janë blerë me buxhet shtetëror e pesë janë donacion, shkruan Gazeta Insajderi.
“Mbrojtje e siguri për shtetin tonë. Pas inaugurimit të Qendrës Shtetërore Trajnuese për Siguri Kibernetike, bashkë me ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci dhe komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjeneral Lejtënant Bashkim Jashari pamë nga afër flotën e kamionëve ushtarakë multifunksional RheinMetall MAN HX2, 8X8 të cilët i janë shtuar arsenalit të ushtrisë”, ka shkruar ai.
“Kamionët ushtarakë RheinMetall MAN HX2 janë prodhim gjerman, ku nga 15 gjithsej, 10 janë blerë me buxhet të shtetit, ndërkaq pesë janë donacion”, vijon postimi i tij.
“Modernizimi dhe fuqizimi i ushtrisë sonë, janë qenësore drejt objektivit për anëtarësim në NATO”. /Insajderi.org/