
Nga 1 maji të gjitha shërbimet në Shqipëri do të kalojnë online, duke mbyllur sportelet.
Sipas vendimit të qeverisë shqiptare, duke nisur nga e diela të gjithë qytetarët mund të marrin online çdo dokument që i nevojitet, duke shmangur radhët e gjata dhe burokracitë, raportoi “AbcNews”.
“Në 1 maj nis epoka e re e shërbimeve pa sportele. Shqipëria ka hyrë në elitën e vendeve më të zhvilluara për qeverisjen digjitale, dhe është ndër të parat që i ofron shërbimet me dokumente përmes platformës kombëtare digjitale. Ky është një stacion historik i Revolucionit Digjital ku mbarojnë radhët, zvarritjet dhe bakshishet e një epoke që ka mbërritur në hapat e saj të fundit”, ka shkruar Rama në Facebook para disa ditësh.
Sipas një raporti të BERZH-it, Shqipëria i ka rritur shërbimet digjitale nga 44.1% në vitin 2015 në 83% në vitin 2020 duke u ngjitur në vendin e 17 mes disa vendeve në botë për shërbimet digjitale qeveritare.