Është mbyllur suksesshëm turi tradicional i takimeve në kuadër të edicionit të pestë të Albanian ICT Awards, ku përgjatë 4 javëve drejtuesit e garës ftuan studentë, profesorë, akademikë, inovatorë dhe të pasionuar në fushën e ICT-së për tu bërë pjesë e saj.
Plot 20 takime zunë vend në këtë edicion ku u vizituan qytetet e Tiranës, Prishtinës, Shkupit, Shkodrës, Tetovës, Gjakovës dhe Preshevës në kërkim të inovatorëve dhe talentëve shqiptarë në teknologji të cilët kanë lënë gjurmë në komunitetin e tyre dhe më gjerë.
Kur ka ngelur vetëm 1 javë nga mbyllja e aplikimeve, organizatorët e garës kanë filluar përgatitjen për fazën tjetër të rëndësishme, atë të vlerësimit të projekteve dhe aplikimeve.
Innovation Hub Tirana mbyll takimet në Shqipëri
Një qendër premtuese, plot ide, plot projekte plot pasion Innovation Hub Tirana e meriton atë emër që bart.
Më 22 Mars në ambientet e kësaj qendre u organizua një takim nga Albanian ICT Awards me studentë, sipërmarrës të rinj dhe nxënës të talentuar. Në këtë takim nderuan me pjesëmarrjen e tyre këshilltari i Ministres së Inovacionit Milena Harito z. Lorenc Bako dhe Drejtori Ekzekutiv i Microsoft Albanian Sokol Vladi të cilët inkurajuan pjesëmarrësit ti bashkohen garës.
Pjesëmarrësit u njohën gjithashtu me një histori suksesi jo vetëm në Albanian ICT Awards por edhe më gjërë, siç është rasti i Baboon dhe z. Genti Selenica.
ICK dhe Universiteti Luigj Gurakuqi i Shkodrës përmbyllin fazën e takimeve
Të Enjten Albanian ICT Awards vizitoi Qendrën e Inovacionit në Kosovë me mikëpritjen e ngrohtë të drejtuesve të kësaj qendre z. Uranik Begu dhe z. Shpend Lila.
Gjatë prezantimit të garës tek pjesëmarrësit, surprizë ishte prezenca e fituesit të Inovacionit të Vitit në edicionin e katërt Rron Cena i cili inkurajoi të rinjtë të bëhen pjesë me arritjet e tyre inovative.
Dita e premte mbylli takimet e këtij edicioni të Albanian ICT Awards me studentët e Fakultetit Ekonomik në Universitetin e Shkodrës Luigj Gurakuqi. Me mbështetjen e Dekanes së këtij Fakultetit z. Blerta Dragusha, përfaqësuesit e garës prezantuan për herë të parë para studentëve të kësaj dege garën mbarëkombëtare.
5 ditë nga mbyllja e aplikimeve
Historitë e suksesit të cilat morën jetë në Albanian ICT Awards janë të shumta. I tillë është rasti i Komunës së Prishtinës me projektin e-Kiosku ku përfaqësuesit e garës patën një vizitë kortezie pranë këtij institucioni ditën e Enjte.
Ata u pritën nga drejtori i Administratës Muhedin Nushi i cili i informoi gjithashtu për vazhdimësinë e projekteve inovative të realizuara nga Komuna gjatë vitit 2016.
Të Premten destinacioni i fundit ishte Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari.” Albanian ICT Awards u njoh më nga afër me modernizimin e sistemeve të teknologjisë së informacioni pranë aeroportit nga kompnia a mirënjohur Limak.
Ali Krasniqi, informoi përfaqësuesit e garës me vazhdimësinë e inovacioneve të aeroportit me qëllim facilitimin e pasagjerëve të këtij aeroporti.
Albanian ICT Awards po shkon drejt një edicioni tjetër të suksesshëm duke përmbushur qëllimin dhe misionin e saj të identifikimit dhe promovimit të maratonomakëve shqiptar të teknologjisë së informacionit.
Aplikimet qëndrojnë të hapura deri më 31 Mars përmes www.ictawards.org në tetë kategori: ICT Inovacioni i Vitit, ICT Mobiliteti i Vitit, ICT Diploma e Vitit, ICT Ylli në Ngritje i Vitit, ICT Shërbimi Publik i Vitit, ICT Akademiku i Vitit, Femra në ICT dhe çmimi i ri ICT Siguria Kibernetike.
Kjo garë nuk do të ishte e mundur pa mbështetjen tradicionale të Fondacionit Dritan Hoxha, Bankës Raiffeisen dhe Albsoft.
Risi, shpërblime dhe promovime fantastike për finalistët. Këtë vit, investitorë potencial të gatshëm të mbështesin idetë e suksesshme në Albanian ICT Awards.
Albanian ICT Awards është një garë mbarëkombëtare unike për nga karakteri dhe dedikimi, që ka për synim identifikimin, shpërblimin dhe promovimin e profesionistëve të dalluar, udhëheqësve të suksesshëm të bizneseve, inovatorëve, akademikëve dhe të rinjve entuziast në fushën e ICT-së.
Sistemi shpërblyes i këtij evenimenti realizohet përmes një përzgjedhje të paanshme dhe rigoroze nga një juri e përbërë nga figura të shquara të komunitetit ICT në vend, bazuar në kritere të veçanta etike dhe profesionale të vlerësimit.
ICTSmedia si një shtëpi botuese lider në botimet mediatike në fushën e Teknologjisë, Informacionit, Komunikimit dhe Sigurisë. Këtë vit prezanton edicionin e 5-të vjetor kombëtarë të evenimentit shpërblyes “Albanian ICT Awards V.”