Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar pas mbylljes së tri pompave të derivateve në veri të ‘Nis Petrol’.
Sveçla me anë të një postimi në ‘Facebook’ e ka quajtur ‘Nis Petrol’-in “damar” të ‘Gasprom’-it rus, shkruan Gazeta Insajderi.
“Policia e Kosovës sot ka asistuar AKP-në në lirimin e hapësirave të saj në Mitrovicë të Veriut dhe Zubin Potok, pas konfirmimit se ato po keqpërdoreshin nga pompat e derivateve të cilat i janë shmangur obligimeve ndaj institucioneve të Republikës së Kosovës”, thuhet në postimin e tij.
“Epoka e përfitimeve dhe pasurimeve në kurriz të shtetit dhe qytetarëve po perëndon. Për shtetin dhe qytetarët pa dallim do të bëjmë gjithçka, për keqpërdoruesit ballafaqim me ligjin. Shkelësit e ligjeve dhe rregullave tona si ‘’Nis Petrol’’, damar i Gazpromit rus, nuk ka vend në Republikën e Kosovës”, vijon postimi i tij.
Agjencia e Kosovës për Privatizim ka thënë se kanë pranuar informacione se qiramarrësit e pikave të karburantit nën administrimin e tyre në Mitrovicë të Veriut dhe Zubin Potok janë duke operuar pa licencim.
“Ditëve të fundit kemi pranuar informacione se qiramarrësit e pikave të karburantit nën administrimin e Agjencisë së Kosovës për Privatizim në komunat e Mitrovicës së Veriut dhe Zubin Potokut janë duke operuar pa licencim.”
Përmes një komunikate për media, AKP ka thënë se bashkë me ATK’në dhe Inspektoratin Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut kanë dalë në terren dhe është vërtetuar se tri pika të karburanteve nuk janë të pajisura me licencë nga MINT dhe dy prej tyre nuk janë as të fiskalizuara.
“Sot, së bashku me Administratën Tatimore të Kosovës dhe me Inspektoratin Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut kemi dalë në terren, ku pas vizitave dhe inspektimeve, është vërtetuar se tri pika të karburanteve nuk janë të pajisura me licencë nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë dhe dy prej tyre nuk janë as të fiskalizuara. Kjo përbën shkelje të kontratave të qirasë me AKP-në dhe Ligjit nr. 08/L-018 për Tregtinë me Produkte të Naftës dhe Karburante të Ripërtërishme, duke cenuar kështu sigurinë e konsumatorëve dhe të mjedisit.”
Kështu, Inspektorati i MINT ua ka ndëprerë veprimtarinë këtyre bizneseve dhe AKP do të ndërpresë kontratat e qirasë.
“Mbi bazën e gjetjeve në terren, Inspektorati i MINT u ka ndërprerë veprimtarinë këtyre bizneseve, dhe si rrjedhojë e kësaj AKP do të ndërpres kontratat e qirasë. Agjencia ua bën me dije të gjithë qiramarrësve, ashtu siç është përcaktuar në kontratën e qirasë, se duhet të operojnë në përputhje me legjislacionin e Kosovës.”