Mbi 13 mijë qytetarë e kanë nënshkruar peticionin i cili kërkon nga deputetët e Kuvendit të Kosovës të miratojnë Projektligjin për parandalimin e vetëvrasjes,
Me këtë rast, peticioni me nënshkrime të qytetarëve është dërguar në Kuvend, teksa u hodhën kritika në drejtim të Kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca për “qasje jo serioze”.
Drejtori i “Linjës së Jetës”, Bind Skeja, tha se me rastin e ditës ndërkombëtare të parandalimit të vetëvrasjes kanë përfunduar me sukses këtë peticion. Andaj, kërkoi nga ligjvënësit që ta përpilojnë projektligjin për parandalimin e vetëvrasjes.
“Sot për ditën botërore të parandalimit të vetëvrasjes, ne kemi përfunduar peticionin për projektligjin për parandalim të vetëvrasjes me mbi 13,361 nënshkrime nga qytetarët dhe qytetarët e Republikës së Kosovës. Kjo shënon një arritje të jashtëzakonshme në trajtimin e vetëvrasjes në Kosove, duke filluar për herë të parë procesin e hartimit të politikave të cilat preokupimin kryesor e kanë reduktimin e vetëvrasjeve nëpërmjet trajtimit të dinjitetshëm të bashkëqytetarëve tonë. Ju rikujtoj se nëpërmjet këtij peticioni ne kërkojmë një ligji që rregullon, shërbimet klinike për parandalim të vetëvrasjes. Integrimin e parandalimit të vetëvrasjes në objektiva institucionale. Mekanizma për ngritje të profesionalizmit dhe kujdesit të mediave ndaj rasteve të raportimit të vetëvrasjes. Shërbime dhe mbështetje sociale jo-klinike”.
“Mekanizma për reduktimin e qasjes në mjete vetëlenduese. Programe specifike për komunitete jo-shumicë. Mekanizma për mbledhjen e të dhënave të vetëvrasjes. Ky mobilizim është dëshmi se së bashku ne mund të krijojmë shpresë për ata dhe ato të cilët sot kanë mendime për vetëvrasje. Jo një shpresë metaforike, e mbajnë në ajër, por je shpresë materiale, e ndërtuar mbi themelet e mbështetjes kolektive ndaj njeri-tjetrit, me solidaritet dhe me punë. Ne peticionin e kemi dorëzuar, por nuk janë prit nga kryetari Konjufca qysh parashihet me ligj. Kjo për neve e tregon një qasje jo serioze”, u shpreh Skeja.