Me biçikletë nga Londra në Kosovë: I biri nderon babain e ndjerë - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Me biçikletë nga Londra në Kosovë: I biri nderon babain e ndjerë

    Insajderi
    01 October 2025 - 16:30
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Hasan Rrahmani, një shqiptar me origjinë nga Kosova dhe banues në Londër, ka ndërmarrë një udhëtim të jashtëzakonshëm me biçikletë prej mbi 2,000 kilometrash drejt Kosovës, në kujtim të babait të tij, Eminit, i cili ndërroi jetë nga kanceri në pankreas.

    Udhëtimin e nisi më 7 shtator nga shtëpia e babait të tij në Hendon, në veri të Londrës, bashkë me fqinjin e tij, Gary Lloyd. Dyshja përshkoi rrugën deri në portin e Portsmouthit, nga ku morën tragetin për në Francë, për të vazhduar më pas drejt Zvicrës.

    Duke kaluar Alpet me biçikleta, ata arritën në Itali, ku udhëtuan deri në brigjet e Adriatikut dhe më pas kaluan me traget drejt Shqipërisë. Prej aty, Rrahmani vazhdoi i vetëm udhëtimin përmes Maqedonisë së Veriut, deri sa më në fund arriti në Kosovë të premten.

    Gjatë këtij rrugëtimi sfidues, ai ka arritur të mbledhë mbi 9 mijë funte për organizatën humanitare “Pancreatic Cancer UK”, e cila mbështet kërkimin dhe trajtimin e kësaj sëmundjeje.

    Në një intervistë për BBC, Rrahmani rrëfeu se shenjat e para të sëmundjes së babait të tij kishin filluar në nëntor të vitit 2019, kur Emini ndiente lodhje të madhe, të cilën e kishte lidhur me diabetin e tipit 2 dhe me moshën.

    “Gjatë një udhëtimi në Kosovë, babai filloi të ndjehej keq dhe u detyrua të kthehej në Angli. Kur mbërriti, gjendja e tij ishte aq e rëndë sa u mor me ambulancë direkt nga aeroporti”, tregoi Hasan.

    Skanimet zbuluan se Emini vuante nga kanceri në pankreas. Për shkak se niveli i anglishtes së tij ishte i kufizuar, Hasan mori përsipër t’ia jepte vetë lajmin e rëndë.

    “Babai e kuptoi që kishte kancer, por nuk e kuptoi rëndësinë e gjendjes. T’i thosha se i kishin mbetur vetëm pak javë jetë ishte shkatërruese”, tha ai.

    Rrahmani shtoi se familja kishte shpresuar deri në fund se Emini do t’ia dilte.

    “Ai kishte përballuar shumë vuajtje gjatë jetës dhe kishte bërë gjithçka për të mbrojtur ne, fëmijët e tij, gjatë luftës së vitit 1998-99 në Kosovë. Besonim se do të fitonte edhe këtë betejë”, ka deklaruar ai.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark