
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, edhe këtë pasdite nuk pranoi të flasë për media lidhur me situatën politike dhe paqartësitë që e shoqërojnë, ndërsa po afrohet fundi i afatit 30-ditor të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
“Më duhet të shkoj me shpejtësi”, ishte përgjigja e shkurtër e Kurtit, në përfundim të promovimit të librit “Dëshmitar i gjenocidit në Srebrenicë”, të autorit Mevludin Hrniq – i mbijetuar i masakrës në Srebrenicë. Promovimi u organizua nga Bashkësia Islame e Kosovës.
Refuzimi për të komentuar situatën nuk ishte i pari për ditën e sotme. Më herët, paraditen e së hënës, Kurti nuk dha deklarata as gjatë vizitës në Suharekë, ku pa nga afër ecurinë e korrje-shirjeve në arat e kësaj komune.