Një ish-studente e Fakultetit të Edukimit në kushte anonimiteti ka rrëfyer se si para afro 12 vjetësh u ndje e ngacmuar seksualisht nga profesori, Xhevat Krasniqi në atë kohë asistent i Lëndës së Matematikës.
Në emisionin “Rreth e Rrotull”, ish-studentja ka rrëfyer se sa e vështirë ka qenë që të ndjeken ligjëratat kur një asisent i tillë i vë në siklet studentet me sjelljet e tij që ajo i quan “jonjerëzore”.
Nën lot e emocione, ajo rrëfen se si së bashku me koleget e saja studente është dashur të shkojnë së bashku në zyrën e konsultimeve nga frika që të mos përballen vetë me të.
“Më irritohet trupi kur përmendet emri i tij duke më kthyer në kohën e njëjtë që ndjesinë që na e ka dhënë. Një profesor duhet të njihet me epitetin si shpërndarës i dijes e ai ka dhënë emocione jo të mira kur ka dhënë ligjërata e konsultime, mos të them që qëllimisht na ka vënë edhe në konsultime pa pasë nevojë, ka qenë metodë e tij. Ne jemi shoqëri e dobët për të dalë ballë një personi të tillë kur vetë edhe në kushte anonimiteti e tregoj rastin tim, nuk ka qenë i rehatshëm si profesor as në ligjërata, provime, konsultime, mënyra si ka shkruar, komplimentuar, ai të ka shkruar në Facebook, edhe pse e ke injoruar live, ai e ka zgjedh atë formë”, ka rrëfyer ish-studentja.
Ndër të tjera, ajo tregon se si i njëjti ka përdorur një gjuhë komunikimi jonjerëzore në konsultime dhe se shumë studente nuk kanë arritur të përfundojnë fakultetin vetëm për shkak të tij.
“Njerëzit si ai nuk kanë vend në institucione, jam pishman që skam folur më herët, e kam përfunduar Edukimin tu pasë frikën me shku në shkollë. Na vardisej në konsultime, e ka pasë një gjuhë komunikimi jonjerëzore, ai dilte jashtë temës. Këto terme të masazhës që i ka përdor tash atëherë i ka përdorë të tjera të tilla, si thua për një kafe pas konsultës, cka ki me bo ma vone?.. Është një siklet që ma përpara provon me hesht e me dal prej asaj zyre. Më vjen keq që sot ka kolege që nuk e kanë përfunduar fakultetin shkaku i tij, nuk e kemi pasë sigurinë të shkojmë ndamas në zyre të konsultimeve”, ka vijuar ajo.
Ajo ka shprehur shqetësimet e saj se si një profesor që u suspendua nga Fakulteti i Edukimit tash është pjesë e Fakultetit të Mjekësisë duke thënë se personat si ai nuk duhet të kenë vend në institucione.
“Prej edukimit ka qenë i suspenduar, sa vend i dobët jemi, më vjen shumë inat përderisa vazhdon dhe kontribon në drejtim të arsimit, e dëmton epitetin e profesorëve tjerë që shpërndajnë dije për gjeneratat e reja. Ka qenë jashtë etikës njerëzore, profesori Xhevat vec profesor ska qenë, asistent ska qenë, më vjen keq prej profesoreshes që ja ka besu punën atij si asistent”, ka theksuar ajo.
Ndër të tjera ajo thotë se sjellja e tij në raport me djemtë studenta ishte arrogante.
“Me djem ishte arrogant, si për seminare, detyra e për cdo gjë i kishte prioritet femrat. Një njeri si ai duhet të ndëshkohet, e ka keqpërdorë mësimdhënien”.