
Qytetarë nga komuna të ndryshme të Kosovës kanë filluar të mblidhen në Prishtinë për të marrë pjesë në protestën e paralajmëruar në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po gjykohen në Hagë që nga viti 2020, shkruan Insajderi.
Autobusët e organizuar nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK) kanë filluar të transportojnë qytetarët drejt kryeqytetit, duke sjellë me vete flamuj kombëtarë dhe duke kënduar këngë patriotike gjatë udhëtimit.
Protesta është parashikuar të fillojë në orën 17:00, në sheshin qendror të Prishtinës, dhe është thirrur nga organizata që përfaqësojnë kategoritë e dala nga lufta, me qëllim që të shprehet mbështetje për të akuzuarit në Hagë dhe kundërshtim ndaj mënyrës së funksionimit të Gjykatës Speciale.