Ministri i Integrimeve Evropiane, Bekim Çollaku, ka njoftuar se Institucioni i Avokatit të Popullit do të vendoset në ish-ndërtesën e Bankës së Lubjanës, duke përmbushur kështu njërin nga tetë rekomandimet e Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave.
“Më në fund mund të konfirmoj se u përmbush plotësisht edhe rekomandimi i Komisionit Evropian në kontekst të Liberalizimit të Vizave i ndërlidhur me sigurimin e objektit dhe pavarësisë buxhetore të Ombudspersonit,” ka shkruar ministri Çollaku në llogarinë e tij në Facebook.
“Njëkohësisht ky është lajm shumë i mirë për procesin e liberalizimit të vizave, duke qenë se ky ka qenë një nga 8 kriteret e fundit të vëna nga Komisioni Evropian” ka thënë Çollaku.
Ai ka thënë se ka mbetur vetëm edhe një rekomandim për t’u plotësuar: ratifikimi i marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi.
Në dhjetor të vitit të kaluar, Komisioni Evropian kishte bërë të ditur se Kosova duhet të përmbushë edhe tetë rekomandime në mënyrë që të bëhet një raport pozitiv për liberalizimin e vizave./Insajderi