‘Ëndrra’ e Presidentes Vjosa Osmani dhe Kryeministrit Albin Kurti pritet të bëhet sonte realitet. Atyre më në fund u janë hapur dyert e Departamentit amerikan të Shtetit. Pas më shumë se një vit inga ardhja në pushtet, ata do të takohen me një nga njerëzit më të rëndësishëm të Amerikës, Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken. Kjo s’është hera e parë që ata takohen me Blinkenin, por ky i sotmi është takim zyrtar. Herën e kaluar ishin takuar me të korridoreve, por kishin arritur ta shkrepnin një fotografi.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe Kryeministri Albin Kurti kanë udhëtuar mbrëmë drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kjo është vizita e dytë e tyre në ShBA këtë vit, meqë të parën e kishin realizuar para tre muajsh.
Kjo vizitë e tyre është shumë më e rëndësishme se e para. Këtë herë, Kurti e Osmani do të zhvillojnë takim zyrtar me një prej njerëzve më të rëndësishëm në ShBA. Ata do të priten në takim nga Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.
Detaje rreth këtij takimi ka dhënë Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës.
Sipas njoftimit të ZPRK’së, në fokus të diskutimeve do të jetë thellimi i partneritetit bilateral Kosovë-SHBA në nivel strategjik, angazhimi i përbashkët në drejtim të adresimit të sfidave ndaj paqes dhe sigurisë në rajon dhe Evropë, si dhe mbështetja për Kosovën në sektorët strategjik.
Në njoftimin e Presidencës thuhet se Osmani do të kërkojë vazhdimin e mbështetjes amerikane për forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës, duke përfshirë edhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare.
“Në takim, Presidentja Osmani do të kërkoj vazhdimin e mbështetjes amerikane për forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës, duke përfshirë edhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare. Ajo do ta informojë Sekretarin Blinken edhe për hapat të cilat i ka ndërmarrë Kosova në avansimin e rrugëtimit euroatlantik, si dhe për angazhimin aktiv të institucioneve të Kosovës në drejtim të zbatimit të reformave në fushën e sundimit të ligjit”, thuhet në njoftim.
Osmani dhe Kurti pritet të diskutojnë me Blinkenin edhe për intensifikimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe ekonomisë, shkruan Gazeta Reporteri.
“Me qëllim të hapjes së kapitujve të rinj të bashkëpunimit nën kornizën e partneritetit bilateral strategjik, do të diskutohet edhe për intensifikimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, ekonomisë, si dhe fusha të tjera të rëndësisë së veçantë. Takimi do të mbahet sot në Departamentin Amerikan të Shtetit në ora 16:30, sipas orës lokale në Uashington D.C., respektivisht në ora 22:30 sipas kohës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Për takimin ka njoftuar edhe Qeveria e Kosovës në faqen zyrtare në Facebook.
“Në ditën e dytë të qëndrimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu do të takohen me Sekretarin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Antony Blinken.
Takimi në Departamentin e Shtetit ndërmjet Kryeministrit Kurti dhe Presidentes Osmani dhe Sekretarit amerikan të Shtetit, Blinken do mbahet në ora 16:30, sipas orës lokale të Ëashington D.C. ose 22:30 sipas orës sonë locale”, thuhet në njoftim.
Kurti dhe Osmani ishin takuar shkurtimisht me Blinkenin edhe para tre muajsh. Ata e kishin takuar Sekretarin amerikan të Shtetit në ceremoninë e varrimit të ish-Sekretares amerikane të Shtetit, Madeleine Albright, që ishte mbajtur në Katedralen Kombëtare të Ëashingtonit.
Për detajet e këtij takimi të shkurtër kishte shkruar Presidentja Osmani në Facebook.
“Gjatë ceremonisë së organizuar në nder të Sekretares Madeleine Albright, patëm mundësinë të takojmë Sekretarin e Shtetit Anthony Blinken. E falënderuam për kontributin e jashtëzakonshëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në forcimin e shtetësisë së Kosovës, si dhe për lidershipin e treguar nga SHBA-të në kohën kur paqja dhe demokracia në Evropë po cenohen sërish. Mbështetja e vazhdueshme dhe vlerat e përbashkëta janë garanca më e fortë e miqësisë së palëkundur me SHBA-të”, shkroi Osmani.