Për shkak të numrit të vogël të popullsisë së regjistruar, komunat e banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan – mund të marrin buxhet vjetor shumë më të vogël se më parë.
Këtë shqetësim, së paku, shprehin zyrtarët komunalë në Mitrovicë të Veriut dhe në Zubin Potok.
“Sigurisht që numri i banorëve do të reflektojë te buxheti. [Nga niveli qendror] do të na thonë: ju, komunarët, gjenduni për projekte dhe vendbanime, nëse mendoni se keni diçka”, thotë për Radion Evropa e Lirë Katarina Axhançiq, nënkryetare e Komunës së Mitrovicës së Veriut.
Numri i popullsisë në komuna është faktor në përcaktimin e buxhetit të tyre nga Qeveria e Kosovës.
Serbët e katër komunave në veri, kryesisht, e bojkotuan regjistrimin e popullsisë – që u bë nga Agjencia e Statistikave të Kosovës në pranverë – me kërkesë të Listës Serbe, e cila kundërshton autoritetin e institucioneve të Kosovës.
Sipas të dhënave paraprake të ASK-së, të publikuara më 12 korrik, vetëm rreth 6.500 njerëz në këtë zonë iu përgjigjën regjistrimit, ndërsa atje besohet se jetojnë dhjetëra mijëra.
Pasoja të gjera
“Ky bojkotim i regjistrimit [nga serbët lokalë] mund të ketë pasoja edhe në ndarjen e buxhetit, por edhe në zhvillimin ekonomik”, thotë kryetari i Komunës së Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, për Radion Evropa e Lirë.
Në këtë komunë, sipas të dhënave paraprake të ASK-së, janë regjistruar 758 banorë.
Shifra është shumë më e ulët sesa vlerësimi i fundit i popullsisë në Kosovë, i bërë nga ASK-ja në vitin 2022.
Sipas atij vlerësimi, në Zubin Potok jetojnë 6.628 banorë.
Dallime të mëdha vërehen edhe në tri komunat e tjera në veri.
Në Mitrovicë të Veriut, sipas të dhënave të deritashme të ASK-së, janë regjistruar 2.346 banorë, ndërsa sipas vlerësimit të vitit 2022, atje jetojnë 11.912 banorë.
Në Leposaviq janë regjistruar 3.204 banorë, ndërsa kanë qenë 12.883, dhe në Zveçan janë regjistruar 435, ndërsa kanë qenë 7.165.
Katër komunat në veri e kanë bojkotuar kryesisht edhe regjistrimin e parafundit, më 2011, ndërsa buxhetet për to janë ndarë në bazë të vlerësimit të popullsisë.
Zyrtarët komunalë në Mitrovicë të Veriut dhe Zubin Potok shpresojnë se institucionet qendrore do ta kenë parasysh që numri i qytetarëve të regjistruar në komunat veriore, nuk paraqet numrin real të popullsisë atje.
Për vitin 2024, Mitrovica e Veriut ka pasur buxhet prej rreth 6.3 milionë eurosh.
Nënkryetarja e komunës, Axhançiq, shpreson që buxheti komunal për vitin e ardhshëm të jetë së paku i njëjtë me këtë të këtij viti.
“E lus Zotin për këtë, që të na e lënë aq”, thotë Axhançiq.
“Duhet të gjendet një zgjidhje. Tani nuk e di… Me siguri që Qeveria [e Kosovës] do ta ketë parasysh se çfarë zgjidhjeje mund të bëhet”, thotë Zeqiri.
Buxheti i sivjetmë i komunës që ai drejton është rreth 3.4 milionë euro.
Lidhur me këto shqetësime, Radio Evropa e Lirë iu drejtua Qeverisë së Kosovës, por zyrtarë të saj nuk ishin të gatshëm të saktësojnë se si do të gjendet zgjidhja.
Sipas tyre, “duhet pritur dhe analizuar shifrat dhe më pas të vendoset për buxhetet komunale”.
Rreth gjysma e buxhetit vjetor të komunave varet nga grantet e përgjithshme, të cilat i ndan Qeveria e Kosovës nga buxheti i përgjithshëm i vendit, e që sivjet ishte rreth 3.3 miliardë euro.
Rreth 90% e shumës së granteve të përgjithshme për komunat ndahen duke u bazuar në numrin e popullsisë së komunës përkatëse.
Bekim Salihu, nga Instituti Kosovar për Studime të Avancuara – GAP, thotë për Radion Evropa e Lirë se mospjesëmarrja e qytetarëve në procesin e regjistrimit në veri, do të prodhojë efekte negative për vetë ata.
“Më pak banorë nënkupton më pak buxhet. Ky është efekti i parë, por jo i vetmi, sepse edhe numri i asamblistëve nëpër kuvendet komunale përcaktohet nisur nga numri i popullsisë”, thotë Salihu.
Sipas tij, kur një komunë nuk di numrin e popullsisë dhe shtrirjen e saj, e as nivelin e arsimimit, profesionet e qytetarëve dhe çështje të tjera demografike, ajo e ka problem të hartojë edhe studime dhe plane të qëndrueshme.
Boban Simiq, nga Qendra për Veprime Afirmative Sociale – CASA në Kosovë, pajtohet se pjesëmarrja e ulët në regjistrimin në komunat në veri, nuk i godet vetëm institucionet komunale, por edhe vetë qytetarët.
“Kur të hyrat e komunës janë më të vogla, një gjë e tillë bën që shërbimet komunale dhe investimet kapitale të jenë më të pakta. Me këtë fakt, popullsia në përgjithësi ka mundësi më të pakta për zhvillim”, ka thënë ai.
Vlerësimi i përgjithshëm i popullsisë, si qasje alternative
Në rastet kur pjesëmarrja e qytetarëve në procesin e regjistrimit është e ulët në komuna të caktuara, ekzistojnë mënyra për të përcaktuar numrin e përafërt, vlerësojnë nga Agjencia e Statistikave të Kosovës.
Drejtori i kësaj agjencie, Avni Kastrati, përmend vlerësimin e popullsisë, që, sipas tij, është standard ndërkombëtar.
Ai thotë se ASK-ja ka burime të mjaftueshme për të bërë një vlerësim të përgjithshëm të popullsisë në komunat veriore të vendit.
“Burimet janë administrative, prej anketave. Ne e kemi bërë një mini-regjistrim më parë dhe e kemi numrin e banesave, të shtëpive, sa janë të banueshme dhe sa të pabanueshme…”, ka thënë Kastrati.
Ai ka shtuar se puna për vlerësimin e përgjithshëm të popullsisë në komunat e veriut të vendit nuk ka nisur, por se ekipet e punës janë të gatshme.
Deri në fund të vitit, ASK-ja do të mund të dalë me rezultatet e këtij vlerësimi, që, sipas Kastratit, do të jetë mbi 90 për qind i përafërt me numrin real të popullsisë së atjeshme.
A është, në fakt, real vlerësimi?
Që prej regjistrimit të parafundit të popullsisë në vitin 2011, ASK-ja ka publikuar vazhdimisht raporte vjetore të vlerësimit të popullsisë.
Çdo vit, ajo ka vlerësuar se popullsia është më e madhe sesa që është regjistruar më 2011, duke u bazuar në shifrat e natalitetit, mortalitetit dhe migrimit.
Por, nga të dhënat paraprake të ASK-së del se popullsia në vitin 2024 është ndjeshëm më e vogël sesa në vitin 2011, përkatësisht 1.58 milion banorë, krahasuar me rreth 1.7 milion.
Edhe përfaqësuesit e organizatave joqeveritare kanë pikëpamje të ndryshme nëse vlerësimi i përgjithshëm mund t’i afrohet numrit real të popullsisë së komunave përkatëse.
Salihu, nga Instituti GAP, thotë se kjo metodë e ASK-së nuk ofron rezultat të saktë.
Vlerësimi i popullsisë, sipas tij, bazohet në një regjistrim bazë, i cili pasohet me të dhënat nga numri i vdekjeve, numri i lindjeve dhe numri i migrimeve.
Ai thotë se për të gjitha këto, ASK-ja nuk i ka të dhënat e plota.
“E para, regjistrimi [i parafundit] i vitit 2011 nuk ka qenë i plotë, as atëherë. Mangësia e dytë është që këto komuna [në veri] nuk kanë raportuar në formë të rregullt dhe të plotë lidhur me lindjet dhe vdekjet. Ato nuk kanë as të dhëna për sa i përket migrimit”, thekson Salihu.
Por, Simiq nga organizata CASA beson se ekzistojnë disa tregues që vlerësimi i përgjithshëm i popullsisë në komunat në veri, t’i afrohet numrit real të popullsisë së atjeshme.
Sipas tij, ASK-ja mund t’i referohet numrit të nxënësve të saporegjistruar në shkolla në katër komunat e veriut, ndërsa në bazë të njësorëve që përllogaritin shpenzimet e energjisë elektrike, t’i evidentojë edhe amvisëritë.
Sidoqoftë, për të dhënat përfundimtare të regjistrimit të popullsisë në Kosovë, që u zhvillua nga 5 prilli deri më 24 maj, do të duhet të pritet deri në fund të vitit, sipas ASK-së.
Përafërsisht në atë periudhë miratohet edhe buxheti për vitin pasues./REL