Me para të shtetit, Ministra Nagavci po organizon një tubim të madh me 26 dhjetor - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Me para të shtetit, Ministra Nagavci po organizon një tubim të madh me 26 dhjetor

    Insajderi
    23 December 2024 - 18:13
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Kryetar i Unionit të Studentëve Shqiptarë, Ardit Dobi ka reaguar kundër organizimit të një takimi me studentë bursistë të Universitetit të Pejës “Haxhi Zeka”.

    Eventi është thirrur nga Ministria e Arsimit me qëllim të takimit me të gjithë studentët që kanë përfituar bursa përgjatë këtij viti, e të cilëve do të iu ndahen edhe mirënjohje.

    Kjo po shihet si shfrytëzim i studentëve për vota.

    Kudër këtij takimi është deklaruar kryetari i studentëve duke e parë si një thirrje për vota në prag të fushatës zgjedhore.

    “Shfrytëzimi i studentëve dhe përpjekjet për të manipuluar djersën e tyre, duke i përdorur për qëllime të ulëta politike dhe fushata zgjedhore, janë jo vetëm një veprim i padrejtë, por edhe një dhunim i të drejtave themelore të tyre”, ka shkruar ai mes tjerash.

    Statusi i plotë:

    Të nderuar studentë dhe qytetarë,

    Në cilësinë time si Kryetar i Unionit të Studentëve Shqiptarë, ndihem i detyruar të reagoj me vendosmëri ndaj një fenomeni të papranueshëm që po ndodh brenda institucioneve tona të arsimit të lartë. Shfrytëzimi i studentëve dhe përpjekjet për të manipuluar djersën e tyre, duke i përdorur për qëllime të ulëta politike dhe fushata zgjedhore, janë jo vetëm një veprim i padrejtë, por edhe një dhunim i të drejtave themelore të tyre.

    Universiteti është një tempull i dijes, i ndërtuar mbi parimet e meritokracisë dhe integritetit. Ai nuk duhet dhe nuk mund të përdoret si një instrument për interesa personale apo politike. Çdo përpjekje për të kthyer institucionet publike të arsimit të lartë në platforma politike është një ofendim ndaj studentëve tanë, ndaj familjeve që sakrifikojnë për arsimimin e tyre dhe ndaj shoqërisë në tërësi.

    Le ta them qartë, studentët nuk janë një monedhë shkëmbimi dhe nuk do të lejojmë që ata të trajtohen si të tillë. Si udhëheqës i këtij unioni, unë do të mbroj çdo student nga keqpërdorimi dhe do të kërkoj që përgjegjësit të mbajnë përgjegjësi për veprimet e tyre.

    Unioni i Studentëve Shqiptarë është këtu për të ngritur zërin tuaj, për të mbrojtur të drejtat tuaja dhe për të siguruar që asnjë hapësirë e universitetit nuk do të përdoret për qëllime që nuk përkojnë me misionin e tij të shenjtë.

    Në fund, një thirrje për të gjithë studentët: qëndroni të bashkuar, qëndroni të fortë dhe mos lejoni askënd të shkelë mbi dinjitetin tuaj. Zëri ynë është arma jonë më e fortë, dhe kur flasim së bashku, askush nuk mund të na heshtë.

    Ardit Bobi

    Kryetar i Unionit të Studentëve Shqiptarë


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark