“Me rëndësi është se çka ke në kokë, dhe jo mbi kokë”, si i tradhtoi Kurti myslimanët për bartjen e shamisë në shkolla? – Insajderi
×
  • Lajme
  • Insajderi

    “Me rëndësi është se çka ke në kokë, dhe jo mbi kokë”, si i tradhtoi Kurti myslimanët për bartjen e shamisë në shkolla?

    Insajderi
    08 April 2022 - 16:43
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit aktualisht nuk ka në plan që rishikojë udhëzimin administrativ i cili ndër të tjera e ndalon bartjen e uniformës fetare në shkolla.

    Kështu ka thënë zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Pupovci, në konferencën e rregullt javore për media.

    “Ne nuk dëshirojmë të dërgojmë tani mesazhe të gabuara në opinion në atë formën që shkolla jonë nuk është laike, sepse shkolla e Kosovës, shkolla publike në Kosovë është shkollë laike dhe kjo duhet të respektohet ndërkaq duhet të respektohen të drejtat e të gjithë fëmijëve që të vijojnë shkollimin dhe po veprohet në atë drejtim. Ka raste ndonjëherë të shkarjeve te them ashtu kur ndodhin situata të cilat janë të padëshiruara për ne, por mendoj që me një reagim të shpejtë ato zgjidhen përndryshe nuk kemi ndonjë plan që tani për tani ta rishikojmë atë udhëzim”, ka thënë zëvendësministri i Arsimit, transmeton Gazeta Insajderi.

    Udhëzimi administrativ përcakton të drejtat, veprimet e ndaluara, masat dhe proceduarat disiplinore dhe zbatimin e tyre. Kurse në nenin 3, pikën 1.13, thuhet se në shkollë ndalohet uniforma fetare.

    Por, pak vjet më parë, krejt ndryshe ka folur për këtë çështje Albin Kurti, lideri i Lëvizjes Vetëvendosjes që atë kohë synonte pushtetin.

    Në kulmin e fushatës zgjedhore, në qershor të 2017-ës, tash kryeministri që atë kohë e lypte pushtetin, ishte shprehur qartazi kundër ndalimit të arsimimit të vajzave me shami.

    “Prej vitit 2011 ne e kemi pasur të qartë qëndrimin tonë që ne jemi kundër ndalimit të mbajtjes së mbulesës”, kishte thënë Kurti, transmeton Gazeta Insajderi.

    “Ka pasur tendenca për ta ndaluar atë, ne jemi kundër ndalimit – pra ne nuk do ta pengojmë, një vajzë që shkollohet, a një vajzë që jep mësim në sistemin arsimor – për shkak se në njërën anë është e drejta e arsimit, dhe një njërën anë tjetër është bindja jonë se çka ken ë kohë, e jo mbi kokë”, vazhdonte fjalimin Kurti, derisa në krah të djathtë e kishte Eman Rrahmanin, deputetin që kërkon lejimin e mbajtjes së shamive në shkolla.

    Çështja e shamisë është aktualizuar kohën e fundit, pasi Florentina Gjergjaj, drejtoresha e shkollës së Mesme Teknike ”Nexhmedin Nixha” në Gjakovë, kishte vendosur një shenjë ku tregonte se ndalohet mbulesa e vajzave në shkollën që ajo drejton.

    Pas reagimeve të shumta për rastin, Gjergjaj ka thënë se vetëm po e respekton Udhëzimin Administrativ të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, duke i quajtur paragjykuese akuzat ndaj saj.

    “Për të dhënë përgjigje për akuzat paragjykuese, tendencioze dhe linçuese ndaj meje, ju ftoj ta lexoni Udhëzimin Administrativ të MASHT-it 06/2014. Pastaj, besoj edhe ju vetë do ta kuptoni ngutinë dhe naivitetin e reagimit tuaj linçues ndaj meje”, ka shkruar Gjergjaj.

    Gjergjaj ka shkruar se nuk i shkel ligjet e udhëzimet administrative.

    “Ju mbase si pushtetare e konsideroni veten mbi ligjin, por unë si drejtoreshë e shkollës nuk ia jap asnjëherë këtë të drejtë vetes sime. Krejt çka angazhohem gjatë punës sime, krahas ngritjes së nivelit të arsimimit në Shkollën “Nexhmedin Nixha”, është edhe respektimi i ligjeve dhe udhëzimeve administrative në fuqi. Dhe asnjë fushatë e ulët, manipuluese me dashakeqësi dhe përçarëse si kjo e juaja ndaj meje nuk do të mund të ndikojë që unë t’i shkeli ligjet dhe udhëzimet administrative gjatë kryerjes së detyrës sime”.

    E njëjta pas kërcënimeve të shumta që ka marrë, së bashku me familjen e saj është larguar nga Gjakova./Gazeta Insajderi/


    OP-ED
    Nga Rubrika
    Lajme
    16 January 2025
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark