Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka deklaruar se Qeveria e Kosovës ka si objektiv të ulë importin, por ka theksuar se ky proces do të kërkojë kohë për t’u realizuar, duke pasur parasysh “gjendjen e trashëguar ekonomike”.
Ai ka shtuar se gjatë qeverisjeve të mëparshme shumë fabrika prodhuese janë shitur për hekur, duke i krijuar kështu një pengesë të madhe zhvillimit të kapaciteteve prodhuese vendore.
Në seancën plenare të Kuvendit, Murati ka theksuar se diçka që është shkatërruar gjatë 20 viteve, nuk mund të rregullohet brenda një mandati.
Reagimi i deputetit të LDK-së, Avdullah Hoti, ka qenë i ashpër ndaj këtyre deklaratave.
Ai e ka pyetur ministrin “me sa fytyrë” bën një deklaratë të tillë.
“Me debatu me këtë person është problem, se ky debaton me fanatizëm. Këtij nuk i intereson e vërteta, dhe vazhdon me atë propagandën e poshtër dhe të ulët. Me sa fytyrë del në foltore, dhe i thotë dikujt që është shkatërru Kosova që 20 vjet. Me 13 mijë njerëz të vrarë, me njerëz pa gjymtyrë, dhe me shtëpi të shkatërruara. Ti thua është shkatërru Kosova gjatë këtyre 20 viteve? Kur i shton këto në Kuvend, nuk ka vend për debat,” ka thënë Hoti.