Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Autoritetin Kosovar të Konkurrencës, Selajdin Beqa dyshohet se ka sulmuar sot me grushta në kokë dhe shpinë, Shemsi Elezin, drejtor në Departamentin e Mbikëqyrjes së Tregut në AKK.
Elezi ka thënë për Insajderin se Selajdin Beqa e ka sulmuar me grushte prapa shpines dhe në kokë disa herë në koridorin e institucionit ku punojnë.
“Më ka sulmu prapa shpine, jam kanë në koridor, kam pas me shku me marr një letër, ai ka dalë prej zyrës edhe më ka sulmu në kry, më ka ra tri-katër herë në trup, por në kry mas shumti. Më ka sulmu me boksa, me duar, goditjet janë kanë shumë të forta, mbrapa shpinës, pa paralajmërim“, tha Elezi.
Sipas Elezit, Beqa e sulmoi pasi ky e kishte raportuar në komision se po i pëzihet në kompetencat e tij dhe po e dëmton në punë.
“Unë vazhdimisht e kam ngrit çështje që me punu në kuadër të ligjit, mu ka përzi në kompetenca të mija, i kam ngrit shqetësimet e mija edhe te ky, se këta e kam mbikqyrës, edhe tek komisioni. I kam tregu disa herë mos me u përzi në punë të mija, se po na dëmton në punë, jo veç mua, por edhe krejt zyrtarët, është tepër i pasjellshëm. Tash do të përballët me drejtësinë“, u shpreh Elezi për Insajderin.
Tutje, Elezi tha se ka marr edhe trajtim mjekësor pasi që goditjet që ka pësuar nuk kanë qenë të lehta.
“Unë jam në spital aktualisht, emergjencën e kam pasur në stacionin e policisë, tash jam duke e pritë edhe vlerësimin për CD se a ka lëndime. Lëndimet nuk kanë qenë të vogla, me sa ka pas fuqi më ka ra“, deklaroi ai.
Insajderi ka kontaktuar disa herë Selajdin Beqën për ta pyetur lidhur me rastin, por, i njëjti ka refuzuar të përgjigjet.