×
  • Lajme
  • Lajme

    Me syze dhe i buzëqeshur, momenti kur deputeti i PD-së dorëzohet që ta vuajë dënimin me burgim

    Insajderi
    27 September 2024 - 20:50
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Deputeti i Partisë Demokratike në opozitë, Ervin Salianji, u vetëdorëzua pasditen e 27 shtatorit në policinë e Tiranës, për t’iu nënshtruar procedurave për vuajtjen e dënimit me një vit burgim.

    Vendimi ndaj tij u mor një ditë më parë nga Gjykata e Apelit, në lidhje me akuzën “kallëzim i rremë”.

    Apeli la në fuqi vendimin që kishte dhënë Gjykata e shkallës së Parë, për rastin e një audio-përgjimi, ku pretendohej se vëllai i ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, ishte përfshirë në trafik droge.

    Salianji u paraqit në polici rreth orës 17:00, ndërsa u shoqërua nga dhjetëra mbështetës të tij.

    Më herët, pas përfundimit të mbledhjes së grupit të deputetëve të PD-së, ai deklaroi se betejën e tij do ta vijojë edhe nga qelia.

    “Çdo përpjekje që kam bërë ka qenë për interesin publik. Pavarësisht se gjatë diskutimeve, grupi i PD-së vendosi të ngujohej në seli me idenë e një përplasje, duke qenë se është vendim politik, por duke qenë se unë jam shprehur se do përballem kudo që ta kërkojnë, duke privuar lirinë nj[ vit, do ta bëj betejën aty”, u shpreh Salianji.

    Më pas ai u nis drejt policisë së Tiranës, ku pas procedurave niset për të vuajtur dënimin në burgun e Fierit.

    Në mbledhjen e grupit të PD-së është vendosur që më 6 tetor të organizohet një protestë, për të kundërshtuar vendimin për Salianjin, që PD e cilëson politik.

    Kreu i grupit të deputetëve demokratë, Gazment Bardhi tha se me shumicën socialiste nuk do të ketë më asnjë marrëdhënie normale në Kuvend.

    Në audio-përgjimin, që u publikua në vitin 2018 nga deputeti Salianji, pretendohej për një bisedë mes vëllait të ministrit të Brendshëm të asaj kohe, Fatmir Xhafa dhe një ish-të dënuari në Itali për trafik droge.

    Opozita kërkoi dorëheqjen e Xhafajt, ndërsa ai vetë mohoi që i vëllai të ishte përfshirë në trafik droge.

    Sipas prokurorisë, biseda ishte e sajuar dhe Salianji ishte përfshirë në “krijimin e provave të rreme për të dëmtuar politikisht ministrin Fatmir Xhafaj”.

    OP-ED
    Nga Rubrika
    Lajme
    22 November 2024

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark