
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se “ndjehet keq” për aksidentimin e një 15 vjeçari me makinë nga zëvendësministri i Zhvillimit Rajonal, Ali Tafarshiku. Gazeta Insajderi raporoti mbrëmë ekskluzivisht për përfshirjen e zëvendësministrit të Kurtit në aksident. Ai ishte në gjendje të dehur kur e goditi me makinë të miturin që ishte në biçikletë.
Albin Kurti konfirmoi aksidentin duke folur edhe në emër të zv ministrit të Zhvillimit Rajonal. Pasi shprehu keqarthje, Kurti tha se “Besoj që njëjtë ndjehet edhe zëvendësministri”.
Tutje, Kurti ka thënë se me rastin do të merren organet e rendit për të marr veprime ndaj zëvendësministrit të qeverisë së tij.
“Për sa i përket aksidentit që ka ndodhur janë organet e rendit, institucionet përkatëse të shtetit të cilët hetojnë e hulumtojnë dhe natyrisht procedura vazhdon. Mua më vjen jashtëzakonisht keq çfarë ka ndodhur. Besoj që njëjtë ndjehet edhe zëvendësministri dhe shumë shpejt do të mund të merren hapat në vijim, por na duhet njëherë që të jemi të përqendruar tek i lënduari dhe tek lejimi i organeve të rendit që ta bëjnë punën e tyre në mënyrë profesionale”, u shpreh Kurti.
Zëvendësministri i Zhvillimit Rajonal, Ali Tafarshiku ka shkaktuar mbrëmë një aksident trafiku. Zëvendësministri i Qeverisë Kurti ka goditur me veturë zyrtare një motoçiklist.
Ai ka qenë i dehur në momentin kur ka shkaktuar aksidentin. Motoçiklisti i goditur nga vetura zyrtare me të cilën po udhëtonte zëvendësministri Tafarshiku, është një 15 vjeçar nga Gjakova.