
Tre muaj pasi u shpall i pafajshëm për akuzat më të rënda të trafikimit seksual dhe shantazhit, reperi dhe producenti i njohur amerikan Sean “Diddy” Combs është dënuar me më shumë se katër vjet burg nga një gjykatë federale në Manhattan.
Vendimi u shpall të premten nga gjykatësi Arun Subramanian, i cili theksoi se “veprat e tij dëmtuan në mënyrë të pariparueshme dy gra”, duke refuzuar kërkesat e mbrojtjes për një dënim më të butë. Sipas vendimit, Combs, 55 vjeç, u shpall fajtor për transportim për qëllime prostitucioni, por u lirua nga akuzat për trafikim seksual dhe shantazh, të cilat mund të kishin sjellë një dënim të përjetshëm.
Në sallën e gjyqit, Combs u shfaq i qetë dhe pa emocione. Në një moment ai iu drejtua familjes duke thënë: “Ju dua, më vjen keq”, ndërsa të afërmit shpërthyen në lot, sipas raportimeve të BBC.
Gjatë procesit, avokatët dhe fëmijët e tij e përshkruan atë si një “njeri të ndryshuar” dhe kërkuan mëshirë. Megjithatë, gjykatësi Subramanian theksoi se “as fama dhe as veprat e mira nuk mund të fshijnë të kaluarën”. Për herë të parë, vetë Combs foli para gjykatës, duke pranuar fajin dhe kërkuar falje, veçanërisht nënës dhe familjes: “E zhgënjeva si bir”.
Pas shpalljes së dënimit, reperi u përqafua me familjarët përpara se të shoqërohej drejt burgut federal në Brooklyn – një fund i hidhur për një prej figurave më me ndikim të muzikës hip-hop, i përfshirë në një proces gjyqësor që ka tronditur opinionin publik.