Lajmet si ai për arrestimin dhe lirimin me kusht të ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, po ashtu edhe nisja, ndalimi dhe kthimi i trenit të Serbisë për në Kosovë, janë bërë lajme ndërkombëtare.
Disa media të mëdha botërore kanë shkruar për nisjen e trenit të Serbisë për në Kosovë, duke e cilësuar atë si nxitje të tensioneve.
BBC në titullin e saj në artikullin për nisjen e trenit serb drejt Kosovës shkruan se “Serbia ndez trenin, shkakton tensione në Kosovën”.
Kurse Agjencia e lajmeve ‘Reuters’ shkruan se “Kosova bllokon hyrjen e trenit ‘provokativ’ nga Serbia”.
Ndërkaq, ‘EuroNews’ në titullin e artikullit nxjerrë zemërimin e institucioneve të Kosovës për nisjen e trenit të Serbisë për në Kosovë, të cilin e quan tren provokues.
“Kosova e zemëruar nga treni provokativ i Serbisë”, shkruante EuroNews.
Për më tepër, Qeveria e Serbisë kishte vendosur që dje ta niste një tren drejt Kosovës, të cilin e kishte marrë donacion nga Rusia.
Nisja e tij ngjalli reagimin e institucioneve të Kosovës dhe përgatitjen për ta ndaluar atë që të hyjë në Kosovë. Sipas autoriteteve kosovare, treni ishte ilegal dhe pa pëlqimin e Qeverisë, dhe si i tillë do të ndalej.
Serbia insistonte që treni të arrinte në Mitrovicën veriore, për ku edhe e kishte destinacionin e fundit. Por doli që stacioni i fundit ishte Rashka – në hyrje të Kosovës, pasi që, nuk u lejua që të hyjë në Kosovë. Forca të mëdha policore të Kosovës u mobilizuar dhe arritën në pikën kufitare në Jarinje, prej ku ishte planifikuar të kalojë treni.
Treni mbante mbishkrime nacionaliste “Kosova është Serbi”. Megjithatë, autoritetet në Beograd vendosën që ta kthejnë trenin prej nga kishte ardhur./Insajderi.com