Agjencia kroate HINA transmeton se shumica e re parlamentare në pushtet e Malit të Zi miratoi ndryshimet në Ligjin për Liritë Fetare në orën dy pas mesnatës, të cilat ishin përgatitur nën ndikimin e Kishës Ortodokse Serbe dhe se kjo është një fitore e madhe e saj në Mal të Zi.
Agjencia gjithashtu thekson se opozita malazeze nuk ka marrë pjesë në votim dhe se ka pretenduar se me këto ndryshime është shkelur Kushtetuta dhe këto vendime të parlamentit janë jolegjtime dhe të pavlefshme,
Ndryshimet të cilat janë miratuar në parlamentin malazez në Ligjin për Liritë Fetare fshinë nenet nga versioni i mëparshëm i Ligjit në të cilat përcaktohej se “të gjitha ndërtesat fetare që përfaqësojnë trashëgiminë kulturore dhe ishin pronë e shtetit të Malit të Zi para humbjes së pavarësisë së tij më 1918 dhe që më vonë nuk janë bërë pronë e një komuniteti fetar në mënyrë të përshtatshme ligjore, do të njihen si pronë e shtetit”.
Ky nen ishte i papranueshëm për Kishën Ortodokse Serbe, e cila menjëherë pas miratimit të versionit të parë të ligjit, në dhjetor 2019, nisi protesta të gjera, me mbështetjen e shumicës së opozitës së atëhershme, duke besuar se Partia Demokratike e Socialistëve që atëbotë ishte në pushtet, po përpiqej të “vidhte pronën e kishës” me ligj.
Ndryshimet e reja në ligj gjithashtu shfuqizuan dispozitën ku parashihej që një komunitet fetar duhet të regjistrohet, e cila ishte gjithashtu një nga pikat që Kisha Ortodokse Serbe e kundërshtoi me forcë./Insajderi.org.