Tjetër provokim kanë ndjerë mediet serbe pas një interviste të kryeministrit shqiptar, Edi Rama, për televizionin serb “Novidan”.
Deklarata e Ramës për televizionin serb, në të cilin tha se “edhe pse Serbia e konsideron Kosovën një krahinë të sajën, për Shqipërinë ajo mbetet shtet i pavarur si gjithë të tjerat”, ka ngjallur reagim tek mediet e shtetit fqinj.
“Atë që ju e konsideroni krahinë, është një shtet për ne. Kosova është shtet i pavarur, të cilin ne e vlerësojmë, ne jemi vëllezër dhe motra, një komb”, tha Rama për “N1”, raporton Insajderi.
Kjo intervistë e Ramës i ka bërë të ndjehen të provokuara mediet serbe, të cilat e kanë quajtur “provokuese” deklaratën e Ramës.
“Rama provokon: Atë që ju e konsideroni krahinë, për ne është një shtet”, është titulli i gazetës serbe Novosti, disa orë pas publikimit të intervistës së kryeministrit shqiptar në televizionin “N1”.
Ndërkaq, në intervistë me televizionin serb, “Novidan”, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka vlerësuar se marrëdhëniet mes Serbisë dhe Shqipërisë mund të arrijnë në një pikë historike, por për këtë është e nevojshme për të vazhduar bashkëpunimin, sidomos në ekonomi.
Rama ka thënë se nuk dëshiron të jetë një ndërmjetës në bisedimet midis Beogradit dhe Prishtinës, por tha që është pikërisht çështja e Kosovës, pengesa më e madhe në avancimin e mëtejshëm të marrëdhënieve.
“Unë do të jem shumë i sinqertë, kjo është një situatë që duhet të përballet kryesisht Beogradin e Prishtinën. Shqipëria nuk favorizon askënd, unë po përpiqem për këtë marrëdhënie, duke folur për paqen dhe procesin e pajtimit, por në asnjë mënyrë nuk veprojë në vend të qeverisë së Prishtinës apo që në ndonjë mënyrë pengon rolin e tyre në gjithë këtë çështje”, tha ai.
Rama tha se marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve duhet të përmirësohen për të mirën e njerëzve, ekonomisë dhe bashkëjetesës më të mirë.
Duke folur për Trepçën, Rama theksoi se Serbia duhet të kuptojë se Trepça është e vendosur në territorin e Kosovës dhe se është pronë e Kosovës. /Insajderi.com