Lideri opozitar në Mal të Zi kërkoi nga qeveria e Podgoricës që ta tërheqë njohjen e pavarësisë së Kosovës pasi Prishtina sërish dështoi ta ratifikojë marrëveshjen e shumëpritur për kufirin mes dy vendeve.
Një nga liderët kryesorë opozitarë në Mal të Zi, Nebojsha Medojeviq, i bëri thirrje qeverisë ta mbrojë kufirin me Kosovën dhe ta tërheqë njohjen e pavarësisë së Kosovës pasi Kosova shtyu votimin e marrëveshjes për demarkacionin.
Lideri i Frontit Demokratik, me orientim pro-rus, tha se Mali i Zi duhet ta tërheqë njohjen e pavarësisë së Kosovës “në mënyrë që t’i mbrojë interesat nacionale dhe dinjitetin e vendit”.
Reagimi i tij erdhi pas shkarkimit të Qeverisë së Kosovës, ditën e mërkurë.
“Ky vendim i pritur i Kuvendit të Kosovës është dëshmia më e re e projektit për Shqipërinë e Madhe i fokusuar në pjesët e territorit të Malit të Zi dhe tregon se Kosova nuk e njeh sovranitetin dhe integritetin territorial ë shtetit të Malit të Zi”, tha Medojeviq.
“Qeveria e Malit të Zi duhet ta tërheqë ambasadorin e saj në Prishtinë dhe ambasadori i Kosovës në Mal të Zi duhet të shpallet non grata”, shtoi ai, transmeton Express.
Kuvendi i Kosovës dje ka votuar për rrëzimin e qeverisë ku njëra ndër arsyejet e opozitës në Kosovë, për rrëzimin e qeverisë ishte për shkak të marrëveshjes së arritur me Malin e Zi për vijën kufitare./Insajderi.com