Tashmë ish-kryetari i Komisionit shtetëror për shënjimin dhe mirëmbajtjen e vijës kufitare të Kosovës me Malin e Zi, Murat Meha, ka thënë se Republika e Kosovës, as nuk përfiton dhe as nuk humb territor në raport me Malin e Zi.
“Konstaton se propozimi i dhënë nga dy komisionet shtetërore nuk e favorizojnë dhe as nuk e dëmtojnë territorin e Republikës së Kosovës”, ka thënë Murat Meha.
Ai, gjatë tryezës me ekspertë të kësaj fushe, ka thënë se vendimet janë marrë në përputhje me dokumentacionin zyrtar.
“Komisioni shtetëror për shënjimin dhe mirëmbajtjen e vijës kufitare me Malin e Zi ka bashkëpunuar ngushtë me Arkivin e Kosovës, Agjencionin e Historisë dhe Agjencionin e Pyjeve”, ka thënë Meha.
Meha ka thënë se Komisioni ka pasur takime me të gjitha palët, përfshirë banorët e atyre zonave, e deri te kryetarët e komunave të zonës kufitare, duke shtuar se nuk është ofruar asnjë dëshmi tjetër përveç dokumenteve zyrtare të cilat tashmë i dëshmojnë të gjeturat e Komisionit shtetëror.
Ai ka treguar edhe për takimet që Komisioni i ka pasur me autoritetet e Malit të Zi.
Meha ka folur edhe për pengesat që i kanë pasur si Komision, duke mos ua dhënë mundësinë që t’i shfaqin të gjeturat e tyre, madje, sipas tij, duke u sulmuar edhe fizikisht nga kundërshtarët e marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi./Insajderi.com