Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka kërkuar përgjegjësi për lëndimin e 12 minatorëve të Trepçës pas shpërthimit të një bidoni me acid sulfurik.
Krasniqi, me anë të një postimi në ‘Facebook’ ka kërkuar hetim të plotë për identifikimin e shkaqeve dhe përgjegjësive mbi këtë rast, shkruan Gazeta Insajderi.
“Ngjarja e rëndë në minierën e Stantërgut, ku 12 punëtorë të Trepçës kanë marrë lëndime, është shqetësuese dhe kërkon përgjegjësi. Është e domosdoshme të zhvillohet një hetim i plotë dhe i pavarur për të identifikuar shkaqet dhe përgjegjësitë në këtë ngjarje e cila ka mundur të përfundoj me fatalitet”, ka thënë ai.
“Punëtorëve të lënduar ju dëshiroj shërim të shpejtë dhe mbështetje të plotë në këtë moment të vështirë për ta. Përkundër kërkesave të vazhdueshme ndaj Qeverisë aktuale, minatorët e Trepçës kanë përjetuar mungesën e trajtimit adekuat”, vijon Krasniqi.
Tutje, ai ka thënë se Qeveria duhet t’i dëgjojë ankesat e minatorëve për t’u ofruar kushte më të mire dhe siguri në vendin e punës. /Insajderi.org/