
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka falënderuar qytetarët e Lipjanit për mbështetjen e treguar në tubimin e fundit zgjedhor, duke e cilësuar si dëshmi të qartë të vullnetit qytetar për ndryshim.
Ai tha se verdikti i lipjanasve është i pakontestueshëm dhe se udhëheqjen e komunës e meriton Shukri Buja, të cilin e quajti njeri të fjalës, punës dhe përkushtimit.
“Lipjani e njeh më së miri këtë rrugë vetëm kryetari i ardhshëm, Shukri Buja. Kryetar që ka lënë gjurmë me vepra dhe dashuri për Lipjanin,” u shpreh Krasniqi.
Ai shtoi se sot më shumë se kurrë Lipjani ka nevojë të kthehet në shtëpi të vërtetë për të gjithë qytetarët, duke ofruar zhvillim, investime dhe dinjitet.
Krasniqi u bëri thirrje qytetarëve që më 12 tetor të votojnë për Shukri Bujën si kryetar dhe për listën e PDK-së me numrin 191.