Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka përkujtuar heroin Enver Zymberi në 12 vjetorin e rënies së tij, në mbrojtje të integritetit territorial dhe sovranitetit të vendit.
Kreu i PDK-së përmes një postimi në Facebook, u shpreh se me të drejtë, Zymberi është hero i Kosovës së Pavarur, guximi dhe vepra e të cilit do kujtohet ndër breza, si shembull i atdhedashurisë dhe profesionalizmit.
“Enver Zymberi nuk ishte aksidentalisht polic. Për të, uniforma e policisë ishte vetëm mënyra e tij për t’i shërbyer Kosovës me nder e krenari – gjë të cilën e bëri deri në frymën e fundit. Andaj, sot, në këtë Ditë Memoriale, kujtojmë dhe nderojmë jetën dhe veprën e Heroit tonë Enver Zymberi dhe të gjithë Policëve të Rënë në Detyrë”, ka shkruar Krasniqi.