
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka shprehur bindjen e tij të plotë për fitoren e kandidatit të PDK-së për komunën e Lipjanit, Shukri Buja, në zgjedhjet lokale.
Gjatë një interviste televizive të dhënë mbrëmë, Krasniqi deklaroi se qytetarët janë të zhgënjyer dhe të lodhur nga qeverisja 12-vjeçare e Imri Ahmetit dhe se, sipas tij, koha për ndryshim ka ardhur. Ai theksoi se rikthimi i Bujës në krye të komunës nuk është vetëm dëshirë e PDK-së, por kërkesë e drejtpërdrejtë e qytetarëve të Lipjanit.
“Zoti Shukri Buja do të jetë kryetari i ardhshëm i Lipjanit. Nuk ka asgjë që e shpëton Imri Ahmetin prej humbjes. Mund të përpiqet në çdo formë, por humbja për të është e pashmangshme. Pas 12 vitesh, qytetarët kanë nevojë për një drejtim të ri-dhe këtë drejtim mund ta japë vetëm zoti Buja,” u shpreh Krasniqi.