Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka komentuar marrëveshjen e arritur mes Kosovës e Serbisë për targat. Krasniqi e ka kritikuar Kurtin për qasjen e treguar, shkruan Insajderi.
Ai u shpreh se çështja e targave që ishte kompetencë e kryeministrit, “u shndërrua në “çështje të negocimit me Vuçiqin e BE-në”.
“Ke mundur ta marrësh këshillën që e kishe për më shumë se 5 javë. Fatkeqësisht duke mos bërë një gjë të tillë dhe duke u dorëzuar më vjen keq që ke shprehur një pafuqi të Kosovës duke mos mundur të implementosh vendimin për tabelat. Ke bërë edhe shpenzime të panevojshme për zgjedhjet. A do të kthehen serbët në institucionet e Kosovës? A do të ketë normalitet në veri siç ka qenë? Shpresoj e keni kuptuar që është koha për ta përfunduar dialogun”.
Krasniqi ka deklaruar se plani franko-gjerman nuk i adreson aspiratat e Kosovës, por se duhet të negocohet.
“Plani franko gjerman si draft aktual nuk i adreson aspiratat e Kosovës. Por angazhimi në negocimin e tij është i nevojshëm dhe ju inkurajoj ta bëni një gjë të tillë. Duke të inkurajuar për vendosmëri dhe fokus në arritje të marrëveshjes finale duhet t’i keni parasysh këto 5 shtylla. Ruajta e karakterit kombëtar, njohja formale nga 5 shtetet mosnjohëse, nisjen e procesit të anëtarësimit në NATO, marrjen e statusit të shtetit kandidat dhe njohjen e ndërsjellë me Serbinë”.