Mbrëmja e ndarjes së çmimeve për artistët më të mirë të vitit organizuar nga Top Channel, nuk ka kaluar pa probleme. Krahas sherrit skandaloz mes Ledionit dhe Noizyt, ku ky i fundit e akuzoi publikisht moderatorin si homoseksual, një tjetër përplasje është shënuar pas përfundimit të spektaklit.
Menaxheri i këngëtares Kida, Mehmet Elshani dhe një mik i tij kanë sulmuar fizikisht gazetarin e Klan Kosova, Vlorijan Halili.
Ngjarja e turpshme ka ndodhur në hollin e hotelit në Laprakë ku grupi i xhirimit të Klan Kosova ishin vendosur, me ftesë të organizatorëve të “Top Awards” për të mbuluar ngjarjen muzikore. Rreth orës 2 pas mesnate, gazetari i emisionit “Prive”, siç shihet në deklarimin e tij në stacionin nr. 2 të policisë, është rrahur me grushta nga menaxheri i Kidës, duke i shkaktuar atij lëndime në sy e trup.
Sherrin duket se e ka nxitur një artikull i botuar në prive.al, sipas të cilit, dy prezantuesit e Tapetit të Kuq, nuk kanë njohur artistët që menaxhon Elshani./lapsi