Policia e Kosovës dhe EULEX-i kanë lëshuar një komunikatë për trajnimin e përbashkët të mbajtur. Pjesë e këtij trajnimi ishte edhe KFOR-i.
Në komunikatë thuhet se qëllimi i trajnimit ishte testimi i gatishmërisë së reaguesve të tri niveleve në Kosovë për menaxhimin e krizave, shkruan Gazeta Insajderi.
“Njësia Policore e Specializuar e EULEX-it (NJPS) mori pjesë sot në ushtrimin e përbashkët ‘Shpata e Artë 2024’ me Policinë e Kosovës dhe misionin KFOR të udhëhequr nga NATO”, thuhet në njoftim.
“EULEX-i është reaguesi i 2-të i Kosovës në fushën e sigurisë, si pjesë e një mekanizmi 3-shtresor të reaguesve në fushën e sigurisë, ku Policia e Kosovës është reaguesi i 1-rë, EULEX-i është reaguesi i 2-të, dhe KFOR-i është reaguesi i 3-të”.
“Ushtrimi, që u mbajt në Kampin Vrella, kishte synim testimin e mundësisë dhe gatishmërisë tonë për zbatimin e procedurave për menaxhimin e përbashkët të krizave. Kjo me qëllim mbështetjen më të mirë të stabilitetit të Kosovës dhe kontribuimin për sigurinë e të gjitha komuniteteve”, përfundon njoftimi. /Insajderi.org/