
Me fillimin e pushimeve verore, mërgimtarët veçse kanë nisur të kthehen në Kosovë, duke shkaktuar fluks të shtuar në pikat kufitare të vendit, shkruan Insajderi.
Sipas të dhënave të fundit nga Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar, pritjet më të gjata janë regjistruar në pikën kufitare te Dheu i Bardhë, ku qytetarët po presin deri në 40 minuta për të hyrë në Kosovë, ndërsa pritja për të dalë është deri në 10 minuta.
Edhe në pikën kufitare të Bërnjakut janë shënuar pritje deri në 30 minuta për hyrje.
Ndërkohë, në pikat e tjera kufitare situata paraqitet më e qetë, me pritje që variojnë nga 5 deri në 10 minuta.
Autoritetet kufitare u bëjnë thirrje qytetarëve që të informohen paraprakisht për gjendjen në kufi përmes kanaleve zyrtare dhe të planifikojnë udhëtimin në përputhje me situatën aktuale.