
Në qytetin e Gjilanit një veturë luksoze me targa të Zvicrës ka kryer një tejkalim të rrezikshëm në kundërshtim të plotë me Ligjin për rregullat e trafikut rrugor në Kosovë.
Ngjarja ka ndodhur më 24 korrik, kur drejtuesi i një automjeti tip Audi S6, ka tentuar të shmangë kolonën në një udhëkryq duke kaluar përmes trotuarit në anën e djathtë.
Pamjet e incidentit u publikuan shpejt në rrjetet sociale nga qytetarët dhe mediat lokale.
Pas publikimit të videos, Njësiti Rajonal i Komunikacionit Rrugor në Gjilan ka reaguar, duke identifikuar dhe gjobitur shoferin në fjalë.
Policia njoftoi se në bazë të marrëveshjes për bashkëpunim mes Kosovës dhe Zvicrës për trajtimin e kundërvajtjeve, rasti do t’i përcillet autoriteteve zvicerane për veprime të mëtejshme.