Dy persona kanë mbetur të plagosur dje në Viti pas një mosmarrëveshje rreth kontestit pronësor.
Prokuroria Themelore në Gjilan, ndaj të dyshuarve ka kërkuar paraburgim nën dyshimin se kanë kryer veprat penale ‘’Vrasja e rëndë në tentativë’’ dhe ‘’Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’’.
Teksa janë dhënë edhe detaje nga rasti ku thuhet se i dyshuari N.H me dashje ka dashur ta privojë nga jeta N.B dhe A.B.
Sipas prokurorisë ai kishte marrë armën AK-47 dhe kishte gjuajtur pandërprerë.
“Sipas kërkesës ekziston dyshimi i bazuar se, i pandehuri N.H., më 08 Gusht 2024, rreth orës 10:07 minuta, në komunën e Vitisë, me dashje ka tentuar t’i privojë nga jeta të pandehurit N.B. dhe A.B., në atë mënyrë që për shkak të mosmarrëveshjeve pronësore, sapo i sheh të njëjtit që me djemtë e tyre kishin shkuar në pronën kontestuese, shkon në shtëpinë e tij, merr një armë automatike AK-47 dhe gjuan pandërprerë në drejtim të tyre, me ç’rast të pandehurin N.B. e plagos në këmbë, ndërsa të pandehurin A.B. e plagos në të dy këmbët, duke rrezikuar edhe personat që gjendeshin në të njëjtin vend”, ka njoftuar Prokuroria Themelore e Gjilanit.
Prokuroria shtoi se “i pandehuri N.B., e kishte armën e zjarrit me vete dhe sapo e sheh që i pandehuri N.H., nga shtëpia e tij kishte dalë me armë, gjuan disa herë në drejtim të tij, por nuk arrin ta qëllojë, duke vënë në rrezik edhe jetën e bashkëshortes së tij, e cila ishte me të”.
I pandehuri A.B., dyshohet për armëmbajtje pa leje, e cila është gjetur pas kontrollit në shtëpinë e tij, si dhe të gjitha armët e të pandehurve janë sekuestruar nga ana e zyrtarëve policorë.