Merr një leje ndërtimi kompania që kishte paguar Përparim Ramën për projektimin e lagjes te Liqeni i Badovcit – Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Merr një leje ndërtimi kompania që kishte paguar Përparim Ramën për projektimin e lagjes te Liqeni i Badovcit

    Insajderi
    07 June 2022 - 16:59
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Nga 15 lejet e ndërtimit  sa u lëshuan në katër mujorin e parë të këtij viti nga Drejtoria e Urbanizmit të Komunës së Prishtinës, është edhe ajo për kompleks banesor nga  “Kawa Group” në lagjen ‘Prishtina e re’. Ndonëse dikur nuk ishte lejuar zbatimi i  planit ambicioz të arkitektit Përparim Rama për ndërtimin e një lagjeje të gjelbër buzë Liqenit të Badovcit, nën qeverisjen e tij iu ka lëshuar leja e ndërtimit kompanisë në fjalë, veçse në një projekt krejt tjetër.

    Si pronar i kompanisë projektuese “4M Group”, Përparim Rama në fund të vitit 2019 dhe në fillim të vitit 2020 ishte shfaqur shumë ambicioz duke prezantuar marrëveshje trepalëshe për realizimin e projektit ndërtimor të lagjes pranë Liqenit të Badovcit.

    Pas shumë protestave të shoqërisë civile me arsyetimin se rrezikohet e ardhmja e Liqenit, projekti nuk ka gjetur zbatim, ani pse Rama e kishte shtjelluar atë deri në detajin më të vogël dhe kishte thënë se është i ligjshëm.

    Kompania “Kawa” është shfaqur përsëri, madje tash në qeverisjen e Ramës. Së bashku me kompaninë “Princesha Construction”, janë pajisur me një leje ndërtimore nga admistrata e Ramës për ndërtimin e kompleksit shumëbanesor me afarizëm.

    Ky grup investitorësh ka aplikuar për leje të ndërtimit më datë 11 nëntor 2021,  ose tri javë para se Perparim Rama të jepte betimin si kryetar i kryeqytetit. Kompanitë janë pajisur me leje më datë 26 janar 2022. Bëhet fjalë për ndërtimin e dy objekteve shumë banesore me afarizëm, me etazhitet: 4B+2S+P+3 dhe 4B+3S+P+12, të cilat kanë nisur së ndërtuari në lagjen “Prishtina e re”. Taksa në emër të komplet lejes ndërtimore janë paguar 128,511.93 euro. Veçse tash projektin nuk e ka bërë kompania “4M Group” e Përparim Ramës, por kompania “A2 Engineering” SH.P.K e cila është në pronësi të Arburim Ramosaj.

    Sipas shënimeve brenda lejes së ndërtimit, bëhet fjalë për  rezidencën “Lord Residence”.

    Po ashtu, siç shihet në leje të ndërtimit, ky grup i kompanive kishte aplikuar edhe një herë në gjysmën e vitit të kaluar për leje ndërtimore, por i ishte refuzuar për shkak se kanë pasur probleme me pagesat e kësteve të lejes ndërtimore.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark