IS merr përgjegjësinë për sulmin në Londër – Insajderi
×
  • Lajme
  • Botë
  • Botë

    IS merr përgjegjësinë për sulmin në Londër

    Insajderi
    23 March 2017 - 13:45
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Grupi militant Shtetit Islamik ka marrë përgjegjësinë për sulmin në Londër.

    IS thotë se sulmuesi në Londër ishte njëri nga “ushtarët” e tyre.

    Tetë veta u arrestuan pas sulmit të së mërkurës në Londër, i cili la katër persona të vrarë, tha policia. Kreu i Komandës Anti-Terrorizëm, Mark Rowley, tha se qindra detektivë kanë punuar gjatë gjithë natës, duke bërë kërkime në gjashtë adresa.

    Kryeministrja e Britanisë së Madhe, Theresa May ka thënë se sulmuesi “ka vepruar i vetëm”, duke shtuar se ai ishte i lindur në Britani.

    May, tha sot në Dhomën e Ulët të Parlamentit britanik se sulmuesi ishte “figurë” e njohur nga autoritetet e sigurisë dhe ishte hetuar “disa vite më parë” për ekstremizëm të dhunshëm. Ajo shtoi se policia është duke punuar mbi supozimin se ai ishte i inspiruar nga terrorizmi islamist.

    “Dje, një akt i terrorizmit tentoi të hesht demokracinë tonë, por sot ne takohemi normalisht, sikurse kanë bërë gjeneratat para nesh dhe sikurse gjeneratat e ardhshme do të vazhdojnë të bëjnë një gjë të tillë. Dhe ne përcjellim një mesazh të thjesht: Ne nuk jemi të frikësuar dhe vendosmëria jonë kurrë nuk do të luhatet para terrorizimit”, tha May.

    Të vrarët në sulm janë një grua në të 40-tat, një burrë në të 50-tat, polici Keith Palmer dhe sulmuesi, tha policia.

    Shtatë nga të plagosurit janë ende në spital, në gjendje kritike, ndërsa 29 veta të tjerë janë trajtuar po ashtu.

    Në mesin e të prekurve nga ky sulm terrorist janë 12 britanikë, tre nxënës nga Franca, dy qytetarë nga Rumania, katër nga Koreja e Jugut, një nga Gjermania, një nga Polonia, një qytetar kinez, një amerikan dhe dy grekë, ka njoftuar parlamentin kryeministrja May.

    Harta e vendit ku ka ndodhur sulmi

    Harta e vendit ku ka ndodhur sulmi

    Sulmuesi goditi njerëzit me makinë, theri për vdekje një polic pranë Parlamentit britanik dhe më pas u vra nga policia.

    Kryeministrja britanike, Theresa May, të mërkuren tha se sulmi “i neveritshëm” goditi mbi vlerat e lirisë, demokracisë dhe të lirisë së fjalës.

    “Terroristët zgjodhën të sulmojnë zemrën e kryeqytetit tonë, ku njerëz të të gjitha nacionaliteteve, feve dhe kulturave mblidhen për të gëzuar vlerat e lirisë, demokracisë dhe të lirisë së fjalës”, tha May.

    May, pas një takimi urgjent me ekipin e sigurisë, tha se qeveria nuk do të rrisë nivelin e kërcënimit nga terrorizmi. Aktualisht, është i dyti më i larti, që do të thotë se “ka shumë gjasa të ndodhë një sulm”.

    Sulmuesi nuk është identifikuar nga policia.

    Kujdes: Pamje të rënda

    Kryebashkiaku i Londrës, Sadiq Khan, tha se britanikët “nuk do të frikësohen nga terroristët”.

    “Mesazhi im për ata që duan të na dëmtojnë dhe të na shkatërrojnë mënyrën e jetesës: Nuk do të keni sukses, nuk do të na ndani”, tha Khan.

    Në Uashington, Shtëpia e Bardhë tha se presidenti Donald Trump i ka ofruar kryeministres britanike, May, bashkëpunim të plotë në hetimin e sulmit.

    “Qyteti i Londrës dhe qeveria e Madhështisë së Saj kanë mbështetjen e plotë të Qeverisë amerikane, për t’iu përgjigjur këtij sulmi dhe për t’i sjellë përgjegjësit përapara drejtësisë”, tha sekretari për media i Shtëpisë së Bardhë, Sean Spicer.

    Dhuna jashtë Parlamentit britanik ka ndodhur në përvjetorin e parë të sulmeve në Bruksel, të cilat kanë lënë 32 veta të vrarë dhe mbi 300 të plagosur.

    Ekstremistët e grupit të ashtuquajtur Shteti Islamik e kanë marrë përgjegjësinë për sulmet në kryeqytetin belg. /REL


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark