Merren në pyetje 17 persona për rastin Dehari – Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Merren në pyetje 17 persona për rastin Dehari

    Insajderi
    18 November 2016 - 18:35
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    17 persona janë marrë në pyetje nga prokuroria gjatë hetimeve për vdekjen e Astrit Deharit, nga të cilët katër persona janë ri-marrë në pyetje.  Kështu njoftoi kryeprokurori i Prizrenit, Sylë Hoxha, gjatë konferencës ku u prezantua raporti i autopsisë që konstaton se aktivisti i ndjerë i Lëvizjes Vetëvendosje kishte kryer vetëvrasje.

    Ai ka treguar edhe detaje të tjera të hetimeve të këtij rasti, e që përfshijnë ndër të tjerash monitorimin e kamerave të vendosura në burg dhe ekzaminimi i vendit të ngjarjes.

    “Nga monitorimi i kamerave të sigurisë nga hetuesit policor, janë evidentuar të gjitha lëvizjet e të gjithë të paraburgosurve, duke përfshirë edhe Astrit Deharin dhe lëvizjet e oficerëve korrektues nga mëngjesi i datës 05.11.2016 deri në mbrëmje dhe në asnjë rrethanë nga ora 14:00 deri në ora 15:00 nuk është vërtetuar ndërhyrje/lëvizje nga faktori i jashtëm në dhomën A3 ku është gjetur tani i ndjeri Astrit Dehari”, ka thënë ai.

    Hoxha shtoi se të gjitha dëshmitë e sekuestruara nga vendi i ngjarjes do t’i dorëzohen së shpejti përfaqësuesit ligjor të familjes Dehari.

    Gjatë konferencës është hedhur sërish poshtë mundësia që Dehari të ketë marrë dozë të tepruar të barnave, ashtu sic ishte thënë vetëm pak orë pas raportimit të vdekjes së tij.

    “Rezultatet e analizave toksikologjike për barna e droga, të kryera gjatë autopsisë dhe pas saj, rezultojnë të jenë negative”, ka sqaruar Hoxha.

    “Nga raporti i autopsisë rezulton se vdekja e të ndjerit Astrit Dehari ka ardhur si pasojë e asfiksisë mekanike (mbyllja ose bllokimi i rrugëve të sipërme të frymmarrjes), si pasojë e dëmtimeve të vetshkaktuara, të cilat kanë qenë të shkoqëruara me gjakderdhje të jashtme”, ka thënë ai.

    I ndjeri Dehari ka qenë aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje, dhe ishte arrestuar më 30 gusht të këtij viti nën dyshimin se së bashku me aktivistë të tjerë të kësaj partie kanë sulmuar Kuvendin e Kosovës me armë.  Ai vdiq më 5 nëntor.

    Lëvizja Vetëvendosje në vazhdimësi që nga koha kur u dha lajmi për vdekjen e tij ka hedhur dyshime për rrethanat që kanë shkaktuar vdekjen.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark