Departamenti për Krime të Rënda nga Prokuroria Themelore në Prizren, ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prizren, kundër të pandehurit B. H. për veprën penale: Përvetësimi në detyrë.
Sipas aktakuzës, i pandehuri nga muaji tetor i vitit 2015 e deri në muajin shkurt 2016, në Dragash, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, ka përvetësuar pasurinë, e cila i është besuar për shkak të detyrës dhe pozitës së tij zyrtare.
I njëjti, duke ushtruar detyrën e arkëtarit në Njësinë punuese të “Hidroregjionit Jugor” në Dragash, kohë pas kohe ka marrë dhe ka përvetësuar nga arka shuma të caktuara parash, të cilat kanë arritur shumën totale prej 3 mijë e 306 euro e 29 cent.
Andaj, me këto veprime, sipas Prokurorisë, i pandehuri ka kryer veprën e lartcekur penale.
Prokurori i rastit ka kërkuar nga gjykata që të pandehurin ta shpallë fajtor dhe ta dënojë sipas ligjit.