Mesazhet që implikojnë direkt Albin Kurtin në aferat e KEK – Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Mesazhet që implikojnë direkt Albin Kurtin në aferat e KEK

    Insajderi
    03 February 2025 - 14:57
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Disa biseda mes Albin Kurtit, Dejona Mihalit, Nagip Krasniqit e Artane Rizvanollit dëshmojnë kontrollin e plotë të kryeministrit mbi shërbyesit e tij dhe njerëzit që i shërbejnë atij. Këto biseda dëshmojnë se asnjë veprim nuk ndodhë pa të, qofshin këto të paligjshme siç është shkarkimi i njerëzve nga puna. Në njërën prej bisedave Kurti e porosit ish-kryeshefin të fillojë “spastrimet e shkarkimet” në KEK. Komunikimet kanë ndodhur në platformën WhatsApp. Bisedat janë pjesë e një hetimi penal që rezultoi me dy aktakuza për korrupsion ndaj Nagip Krasniqit.

    Albin Kurti, defacto e kontrollonte edhe Korporatën Energjetike të Kosovës. Të tjerët në pozita i shërbenin atij.

    Paparaci ka siguruar disa biseda në një grup në platformën WhatsApp, të cilat e inkriminojnë shefin e Qeverisë i cili erdhi në pushtet me premtime për luftim të krimit dhe nepotizmit.

    Pikërisht, të kundërtën e bën këtu.

    Në platformën WhatsApp, kryeministri e udhëzonte direkt ish-kryeshefin Nagip Krasniqi për shkarkime në KEK.

    Caku i shkarkimeve, besohet se se ishin ata që s’i përkisnin partisë në pushtet.

    Ai, frikësohej se po “bëhej vonë” për pastrimin e ndërmarrjes nga njerëz që pretendohet se ishin të padëgjueshëm ndaj pushtetit, pasi interesohej edhe për zhvillime rreth një konsorciumi që kishte fituar tender në të kaluarën në KEK.

    Bisedat që dëshmojnë për kontrollin e Kurtit mbi Krasniqin dhe ndërmarrjen janë zhvilluar në gusht dhe tetor të vitit 2022.

    Komunikimet mes Albin Kurtit, Nagip Krasniqit, Dejona Mihalit e Artane Rizvanollit janë pjesë e një hetimi penal që rezultoi me dy aktakuza për korrupsion ndaj Nagip Krasniqit. Këto janë prova të njërës prej lëndëve të inicuara ndaj Krasniqit, por të cilat nuk janë administruar në gjykatë.

    Kryeministri i kërkonte llogari kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi nëse një zyrtar i lartë i ndërmarrjes kishte udhëtuar për në Maqedoninë e Veriut me motiv prishjen e një konzorciumi që e kishte rinovuar një bllok të Termocentralit “Kosova A”.

    Ishte i interesuar që ky konzorcium të prishej.

    Krasniqi, i akuzuar me dy aktakuza për korrupsion, i raportonte Kurtit në detaje.

    “A e njihni ndonjëri kryeinxhinierin Bekim Lushaku në TC Kosova A? Çka mendoni për të? Ma kanë lavdëruar…”, i pyet Kurti pjesëtarët e tjerë të grupit në WhatsApp – pjesë e të cilit janë Dejona Mihali, Artane Rizvanolli dhe Nagip Krasniqi.

    E para i replikon Dejona Mihali, tregojnë komunikimet mes tyre.

    Koordinatorja e Komiteteve në Lëvizjes Vetëvendosje, e cila nuk mban asnjë post publik, e quan manipulant kryeinxhinierin Lushaku.

    “Po, më manipulant nuk mund të bëhet”, i përgjigjet ajo, Kurtit. “Për të mos thënë fjalë më të rënda”.

    Krasniqi, i akuzuar në dy raste për keqpërdorim të detyrës zyrtare, i shpjegon Kurtit detaje krejt të hollësishme për Lushakun.

    “Edhe mu ma lavduan në fillim por ky është ai që pas letrës së kompanisë Ballkan Petrol çështjen e tij e kemi dërguar në prokurori”, i përgjigjet Krasniqi, Kurtit.

    Ish-kryeshefi i KEK-ut, del të ketë qenë i kontrolluar krejtësisht nga Kurti dhe Vetëvendosja. Ai, vazhdon t’i raportojë Kurtit për kryeinxhinierin.

    “Tani për tani është vështirë të gjykohet a është luftë në mes të kompanive apo vërtetë është i përzier ai”, pohon ai.

    Në një bisedë tjetër, Kurti interesohet sërish për kryeinxhinierin lidhur me një konsorcium të kontraktuar për punë në renovimin e Termocentralit “Kosova A”. E pyet ish-udhëheqësin e KEK-ut nëse e kishte dërguar Lushakun në Maqedoninë e Veriut me motiv prishjen e atij konsorciumi.

    Por, Krasniqi e mohon.

    “Unë s’e kam dërguar askënd”, i raporton ai, Kurtit. “Por më erdhi info nga një kompani që ai ka qenë në Maqedoni”.

    Për të njëjtën çështje interesohet edhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tregojnë komunikimet në WhatsApp.

    “Ka provuar që ta bind një kompani nga Maqedonia që të hyj në partneritet me një kompani tjetër Kosovare”, thotë Krasniqi.

    Sipas Krasniqit, Lushaku kishte shkuar në Maqedoninë e Veriut për pazare me tenderë.

    “Nga ajo që ata e kanë partner nga ma herët. Dhe sipas tyre, iu ka thënë se nuk mund t’marrin punë në KEK nëse nuk hynë në konzorcium me një kompani që ai ua ka rekomanduar”, thotë Krasniqi, dhe sugjeron marrjen e masave ndaj tij.

    Kurti e porosit direkt Krasniqin që të nisë “shkarkimet dhe spastrimet” në ndërmarrjen publike.

    “Drejtor, po nuk shkarkove e spastrove tash në KEK, as nuk do të ketë vlerë e as mundësi më vonë…”, e udhëzon direkt Kurti, ish-kryeshefin e kontrolluar prej tij.

    Biseda tregon se Krasniqi i nënshtrohej plotësisht autoritetit të kryeministrit. I premtonte atij se do të merrej me këtë punë sapo të verifikonte atë.

    “Unë sonte skam si ta vërtetojë”, i përgjigjet ish-kryeshefi, kryeministrit. “Nesër do të merrem me këtë, por me duhet ndihmë që ti gjejmë të verifikohet kjo punë”.

    Bekim Lushaku, kryeinxhinieri i KEK-ut i përmendur në bisedën e Kurtit dhe eksponentëve të tjerë të pushtetit, është një inxhinier i elektro-teknikës i punësuar prej disa vitesh në KEK. Në vitin 2016, bazuar në një raportim të mediave më 2016, ai ishte konkurrent për një pozitë në bordin e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”.

    I përfshirë në këtë grup të ngushtë të njerëzve të pushtetit, siç dokumentohet nga bisedat në WhatsApp, është edhe Milot Kelmendi, këshilltar i ministres Artane Rizvanolli. Ai, po ashtu është i afërt me Nagip Krasniqin.

    Në vitin 2022, kishte marrë pjesë në një takim në mes të Elektranave të Maqedonisë së Veriut (ESM) dhe KEK-ut, bashkë me Krasniqin.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark